Lajme

Përdorimi i antibiotikëve në bujqësi ‘po rrezikon sistemin imunitar të njeriut’


Përdorimi i përgjithshëm i antibiotikëve në bujqësi ka çuar në shfaqjen e baktereve që janë më rezistente ndaj sistemit imunitar të njeriut.

Të paktën kështu kanë paralajmëruar së fundmi shkencëtarët.

Hulumtimi i tyre sugjeron se colistin-a antimikrobike, e cila u përdor për dekada si një nxitës i rritjes në fermat e derrave dhe pulave në Kinë, rezultoi në shfaqjen e E coli-t, me shumë gjasa në shmangien e linjës së parë të mbrojtjes së sistemit tonë imunitar.

Edhe pse colistin tani është i ndaluar si një shtesë ushqimore për kafshët në Kinë dhe shumë vende të tjera, gjetjet tingëllojnë një alarm mbi një kërcënim të ri dhe domethënës që vjen nga mbipërdorimi i barnave antibiotike.

“Kjo është potencialisht shumë më e rrezikshme se rezistenca ndaj antibiotikëve”, ka thënë Craig MacLean, i cili drejtoi hulumtimin në Universitetin e Oxford-it.

“Nënvizon rrezikun e përdorimit pa kriter të antimikrobikëve në bujqësi. Rastësisht kemi përfunduar duke kompromentuar sistemin tonë imunitar për të marrë pula më të majme”, ka vijuar profesori.

Po ashtu gjetjet mund të kenë implikime të rëndësishme për zhvillimin e ilaçeve të reja antibiotike në të njëjtën klasë si colistin-a, të njohura si peptide antimikrobiale (AMPs).

Për këto të fundit, shkencëtarët sugjerojnë se mund të paraqesin një rrezik të veçantë të kompromentimit të imunitetit të lindur.

AMP-të janë komponime të prodhuara nga shumica e organizmave të gjallë në përgjigjen e tyre imune të lindur, e cila është linja e parë e mbrojtjes kundër infeksionit.

Colistin bazohet në një AMP bakteriale, por është kimikisht i ngjashëm me disa AMP të prodhuara në sistemin imunitar të njeriut.

Përdorimi i gjerë i tij në bagëti nga vitet 1980 shkaktoi shfaqjen dhe përhapjen e baktereve E coli që mbartin gjenet e rezistencës ndaj colistin-ës, gjë që përfundimisht shkaktoi kufizime të përhapura në përdorimin e drogës në bujqësi.

Por studimi i fundit sugjeron se të njëjtat gjene gjithashtu lejojnë patogjenët të shmangin më lehtë AMP-të që formojnë një gur themeli të përgjigjes sonë imune.

Në studim, E coli që mbante një gjen rezistence, të quajtur MCR-1, u ekspozuan ndaj AMP-ve të njohura se luajnë role të rëndësishme në imunitetin e lindur te pulat, derrat dhe njerëzit.

“Rreziku është se nëse bakteret evoluojnë rezistencë ndaj barnave të bazuara në AMP, ato gjithashtu mund t’i bëjnë bakteret rezistente ndaj një prej shtyllave të sistemit tonë imunitar”, ka theksuar MacLean.

Rezistenca antimikrobike përbën një kërcënim të tmerrshëm global.

Sakaq, OKB-ja ka paralajmëruar se deri në vitin 2050 mund të vdesin deri në 10 milionë njerëz në vit si rezultat i superbaktereve, kështu nevoja për antibiotikë të rinj është urgjente.

Ka një interes në rritje për potencialin e AMP-ve si barna, dhe disa nga ato në zhvillim përfshijnë barna të bazuara në AMP-të njerëzore.

MacLean dhe kolegët nuk po bëjnë thirrje që zhvillimi i barnave të tilla të ndalet, por thonë se kërkohen vlerësime jashtëzakonisht të kujdesshme të rrezikut për mundësinë e shfaqjes së rezistencës dhe pasojat e mundshme.

“Për AMP-të, ka pasoja potencialisht shumë të rënda negative”, ka paralajmëruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore