Lajme

Përballë frikës së sirianëve për mbylljen e ndihmës kufitare, Rusia propozon zgjatjen me 6 muaj


Rusia ka propozuar zgjatjen e mandatit për një kalim jetik kufitar në Sirinë Veriperëndimore për vetëm gjashtë muaj, teksa frika në rajon po rritet mbi efektet e mundshme në ndihmën humanitare nëse kalimi mbyllet.

Ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së përgatitet të votojë të enjten për dërgesat e ndihmave humanitare në Sirinë Veriperëndimore nga Turqia, Rusia ra dakord të vazhdojë për gjashtë muaj, jo një vit, aq sa shumë anëtarë të këshillit, sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, dhe më shumë se 30 organizata joqeveritare (OJQ) duan.

Rusia propozoi ndryshime në një projekt-rezolutë nga Irlanda dhe Norvegjia, duke reduktuar kornizën kohore të dorëzimit të tyre njëvjeçar.

Diplomatët e Këshillit thanë edhe se konsultimet vazhduan të mërkurën vonë për të parë nëse mund të arrihet një kompromis.

Këshilli i Sigurimit caktoi një votim për të enjten në mëngjes. Nëse nuk do të dilte kompromisi, së pari do të votohej projekt-rezoluta e Irlandës dhe Norvegjisë për zgjatjen e dërgesave ndërkufitare për 12 muaj. Nëse nuk arrinte të merrte nëntë vota ose do të vihej veto nga Rusia, atëherë do ta vendosnin në votim rezolutën ruse me një shtyrje gjashtëmujore.

Në fillim të korrikut 2020, Kina dhe Rusia vendosën veton ndaj një rezolute të OKB-së që do të mbante dy pika kufitare nga Turqia për të ofruar ndihma humanitare në Idlib. Këshilli më vonë autorizoi shpërndarjen e ndihmave vetëm përmes një prej atyre kalimeve, Bab al-Haëa. Ai mandat njëvjeçar u zgjat për një vit më 9 korrik 2021 dhe skadon këtë të diel.

Sipas draftit rus të marrë të mërkurën nga Associated Press (AP), propozimi rus bëri thirrje për rritje të përpjekjeve për të siguruar dërgesa “të plota, të sigurta dhe të papenguara” të ndihmës humanitare nëpër linjat e konfliktit brenda Sirisë.

Ai gjithashtu do të autorizojë krijimin e një “grupi të posaçëm pune” që përbëhet nga anëtarët e interesuar të këshillit, donatorët kryesorë, palët e interesuara rajonale dhe përfaqësuesit e agjencive ndërkombëtare humanitare “në mënyrë që të shqyrtohet dhe të ndjekë rregullisht zbatimin e kësaj rezolute”.

Asnjë prej këtyre propozimeve nuk ishte në projekt-rezolutën Irlandë-Norvegji.

Rusia ka argumentuar se ndihma mund të kalojë tranzit përmes pjesëve të vendit të kontrolluara nga regjimi përmes vijave të konfliktit.

Grupet e ndihmës kanë hezituar t’i zhvendosin operacionet e tyre masive për të kaluar nëpër zonat e mbajtura nga regjimi i Bashar Asadit, i cili vetë i nënshtrohet sanksioneve. Aktivistët dhe banorët e opozitës paralajmërojnë se kjo është diçka që autoritetet në Damask do ta shfrytëzonin si një taktikë presioni kundër bastionit të fundit të opozitës në Idlib.

Gati 10 mijë kamionë të ngarkuar me ndihma humanitare kaluan përmes vendkalimit Bab al-Hawa vitin e kaluar me destinacion rajonin e Idlibit, bastioni i fundit i opozitës në Siri dhe shtëpia e rreth 3 milionë njerëzve.

Frikë në rritje

Gjatë dy viteve të fundit, Adila Afesh ka parë që ndihma ushqimore që merr familja e saj siriane është zvogëluar me gati dy të tretat.

Tani, ajo ka frikë se Rusia, ndoshta duke kërkuar të hakmerret kundër sanksioneve perëndimore për pushtimin e saj në Ukrainë, do të bllokojë rinovimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mundëson ndihmën për sirianët që, si familja e saj, jetojnë në provincën Idlib.

Një lëvizje e tillë do të nënkuptonte se Afesh dhe shtatë fëmijët e saj, së bashku me 4 milionë të tjerë në Idlib, do të duhet të mbijetojnë edhe më pak.

Në vitin 2014, ndihma hyri në Siri nga katër pika kufitare. Që atëherë, Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e ka detyruar këshillin të mbyllë tre nga katër kalimet.

Agjencitë e ndihmës paralajmërojnë se nëse Rusia vë veton ndaj rezolutës, ushqimi do të shterohet në Idlib dhe zonat përreth deri në shtator, duke vënë në rrezik jetën e rreth 4.1 milionë njerëzve, shumë prej tyre të zhvendosur nga konflikti dhe që jetojnë në vendbanime me tenda.

Ekonomia e Sirisë po vuan periudhën e saj më të keqe që nga fillimi i krizës në vitin 2011. Ky është rezultat i një sërë problemesh, duke përfshirë sanksionet gjymtuese perëndimore, korrupsionin e përhapur, koronavirusin, rritjen e çmimeve të ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë dhe një shkrirje ekonomike në Libanin fqinj – Porta kryesore e Damaskut drejt botës së jashtme dhe shtëpia e 1 milion refugjatëve sirianë.

Në fund të qershorit, 29 agjenci ndihmash u mblodhën për të ndarë një mesazh, që është se një “katastrofë humanitare do të ndodhë” nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk lejon që ndihma dhe shërbimet për shpëtimin e jetës të shpërndahen përtej kufirit.

Në rrezik është qasja në ushqim, vaksinat kundër COVID-19, furnizime kritike mjekësore dhe shërbime thelbësore, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, aksesin në ujë të pastër dhe arsim për miliona sirianë.

Marrë nga Daily Sabah, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore