Lajme

Për të tretën herë dështon seanca e Komunës së Zetës për ta “çnjohur” Kosovën


Flamuri i Kosoves dhe ai i Malit te Zi

Për të tretën herë me radhë ka dështuar përpjekja për miratimin e deklaratës për anulimin dhe mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës në territorin e Komunës së Zetës, në Mal të Zi, iniciativë kjo e thirrur nga disa këshilltarë të kuvendit komunal të kësaj komune.

Siç kishte ndodhur edhe herën e kaluar, në seancë nuk u paraqitën parashtruesit e kësaj nisme – këshilltarët e koalicionit “Për Ardhmërinë e Zetës”, të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb.

Në seancë morën pjesë vetëm këshilltarët e partisë “Mali i Zi Demokratik”.

Pasi që konstatoi mungesën e kuorumit, Kryetari i Kuvendit Komunal të Zetës, Luka Krstoviç, në hapje të seancës caktoi vazhdimin e kësaj seance për 27 korrik në ora 12:00.

Ndryshe, Kuvendi Komunal i Zetës ka 32 ulëse në këshillin komunal, shumicën e të cilave i ka Fronti Demokratik (16). Ndërsa, Partia Demokratike e Socialistëve ka tetë këshilltarë, demokratët shtatë dhe Partia Popullore Socialiste një këshilltar.

Deklarata për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga komunat nuk ka karakter juridik, por ekskluzivisht politik.

Edhe Seanca e Kuvendit Komunal të Komunës së Zetës në Mal të Zi, e paraparë që të mbahej të premten e 30 qershorit, ku do të diskutohej për anulimin e njohjes së Kosovës në këtë qytet dhe për shkarkimin e kryetarit, Luka Krstoviç, nuk ishte mbajtur për shkak se nuk kishte kuorum të mjaftueshëm për një gjë të tillë.

Në mbledhje nuk kishin marrë pjesë këshilltarët e klubit “Për Ardhmërinë e Zetës”, pa të cilët nuk mund të ketë kuorum dhe të cilët kanë paraqitur iniciativën për shkarkimin e Krstoviç-it dhe anulimin e njohjes për Kosovën.

Dështon sërish seanca e Komunës së Zetës për “çnjohjen” e Kosovës

Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë vende përbërëse në kuadër të Jugosllavisë, por me statuse të ndryshme.

Mali i Zi ka qenë një nga gjashtë republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të Serbisë, dhe kjo deri në vitin 1989, kur presidenti fashist i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç e suprimoi atë.

Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr presidenti i deritanishëm malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, me 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore