Shqipëria

Peleshi vizitë zyrtare në Greqi: Sfidat e sigurisë mbeten të përbashkëta, intensifikojmë bashkëpunimin


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka zhvilluar një vizitë dyditore në Greqi, me ftesë të homologut të tij, Nikolaos Panagiotopoulos për të folur rreth sfidave aktuale të sigurisë, me fokus të veçantë mbi situatën në Ukrainë.

Peleshi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vijueshme që Greqia i ka dhënë Shqipërisë, jo vetëm gjatë procesit të anëtarësimit në NATO, por edhe në “përpjekjet që vendi ynë po bën për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian”.

“Sfidat tona të sigurisë mbeten të përbashkëta, të pandashme dhe të gjithanshme. Ato vijnë nga çdo drejtim dhe mund të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë. Nuk duhet të humbasim vëmendjen nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe krahu jugor i Aleancës”.

Të dy ministrat vlerësuan kontributet respektive në angazhimet në kuadër të Aleancës si edhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur vendimet dhe angazhimet që priten të konfirmohen në Samitin e NATO në Madrid, Spanjë.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes rikonfirmoi vijimin e angazhimeve të vendit tonë në NATO, duke vënë në dukje shtimin e kontributeve të Shqipërisë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë,  KFOR, në Letoni si dhe angazhimin për të kontribuar me një togë në eFP Bullgari.

Nga të dyja palët u dënua agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë, ndërsa shprehën qëndrimin e tyre ndaj ndikimeve të kësaj situate në Ballkan, Evropë e më gjerë.

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura greke që prej fillimit në misionin e KFOR, në Kosovë, si një kontribut të madh për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore