Lajme

Peci: Prona 4 milionëshe në emër të Jovica Deniç-it, i kthehet ministrisë së Bujqësisë


Ministri i Bujqësisë, Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë të ditur se është arritur që prona e cila i takon këtij dikasteri të kthehet në emër të institucionit, pas shumë vitesh që sipas tij është “keqpërdorur” dhe “tjetërsuar”.

Në fjalën e tij para gazetarëve, ministri tha se pas pronave në Ulpianë dhe në Stankaj të Pejës, ky rast është njëri ndër rastet me bizare që ka ndodhur, kjo pasi që prona ishte në emër të një serbi.

“Na është dashur shumë angazhim dhe sensibilizim publik e kërkesa ndaj institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve: Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Drejtorisë për Kadastër të Komunës së Prishtinës për dhënien e historiatit të mënyrës së bartjes së kësaj prone nga MBPZhR tek Jovica Deniqi”.

“E si rezultat i këmbëngulësisë sonë, akterët e lartcekur që kanë marrë vendime skandaloze dhe kriminale me vite në përvetësimin e pronës shtetërore tek individë e konkretisht të kësaj ngastre në vlerë rreth 4 milion euro; prona i është kthyer titullarit, Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë Peci.

Prona për të cilën bëhen fjalë në vitin 2020, ishte bartur tek pronari Jovica Deniç.

“Në aktvendimin e nxjerrë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës në dhjetor të vitit 2020, ishte obliguar Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës që të bëjë ekzekutimin e Aktgjykimit të shtatorit të 1996, ku parcela në të cilën ndodhemi sot, i është bartur në pronësi Jovica Deniçit”.

“Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës më Maj të 2019 si dhe në gusht të 2020-tës kishte refuzuar fillimisht kërkesën e Jovica Deniçit, për shkak të konstatimit të zbrazëtisë ligjore për ta bartur pronën në pronësi të Deniqit”, ka sqaruar ai.

Sipas të dhënave të tij, që nga viti 2010 deri në vitin 2020 janë rreth 100 hektarë tokë të tjetërsuara, objekte e prona afariste, që kanë ndërruar titullarin në mënyrë të dyshimtë përmes metodës së identifikimit të disa pjesëtarëve të komunitetit serb ish zyrtarë të Institutit të Bujqësisë.

“Secili duhet ta bartë peshën e përgjegjësisë karshi këtyre veprimeve skandaloze e kriminale dhe të përballet me organet e rendit dhe drejtësisë.  Ofroj, bashkëpunimin tim si Ministër, organeve të rendit dhe drejtësisë për çdo informacion që posedojmë si institucion”.

15 maj të 2023-ës, pas deklaratës së ministrit të Bujqësisë, Faton Peci i cili kishte thënë se në Stankaj të Rugovës janë ndërtuar disa vila në tokë të shtetit nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë kishin nisur hetimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore