Lajme

PDK e LDK s’do t’ia pranojnë Kurtit asnjë marrëveshje me Serbinë që s’e ka njohjen formale brenda


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh optimist gjatë një interviste për France 24 se në takimin e 27 shkurtit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, do arrihet një marrëveshje që çon në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Por deputetët e Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, Hisen Berisha dhe Driton Selmanaj, thonë se nuk e kanë idenë se çfarë dakordance mund të arrihet, meqë theksojnë se as nuk e kanë parë planin franko-gjerman.

Madje sipas tyre, qeveria aktuale është “më jo-transparentja për procesin e dialogut”, por edhe shprehen të vendosur që nuk do e pranojnë asnjë marrëveshje që sjell vetëm njohjen “de fakto” të Kosovës nga Serbia.

“Njohja ‘de fakto’ një formulë që rregullonte raportet në mes dy Gjermanive, për bashkim në një të ardhme, është preambula e tekstit që propagandon kryeministri Albin Kurti, është manteli i mashtrimit të falangave serb në qeverinë aktuale kosovare”, tha Berisha për Albanian Post.

“Kjo po lexohet tashmë se kur kësaj njohje ‘de fakto’, i shtojmë ‘Zajednicën’ dhe përligjen e kishës ortodokse me status eksterritorialiteti apo si status shtetëror, nën autoritetin e sinodit rus siç e interpretojnë ky ekip negociues qeveritarësh, është rrethanë që e bënë jo shembjen e shtetësisë së Kosovës, por pranimin e masave të dhunshme të Millosheviçit, që interpretohet si ofertë e Millosheviçit për Kosovën me status më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi”.

Berisha ka theksuar se “status quo” favorizon dy qeveritë aktuale në Kosovë dhe Serbi.

“Nuk e votoj asnjë dokument që e vazhdon ‘status quo’ serbe në Kosovë”, shprehet i vendosur ish-ushtaraku.

Ekskluzive: Çfarë do të ndodhë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel…

As për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, marrëveshja eventuale në Bruksel nuk do ishte e mirëseardhur pa njohjen reciproke.

“Çka kemi kërkuar ne si LDK është që zgjidhja me qenë me njohjen reciproke. Pa këtë nuk është mbyllje e procesit me dialogun me Serbinë, përkundrazi. Ne nuk e kemi parë as planin franko-gjerman, pasi nuk e ka sjellë në Kuvend kryeministri Kurti për ta parë deputetët. E ka pranuar një dokument që e ka parë vetëm ai”, theksoi Selmanaj për AP.

Ndërsa kur pyet nëse LDK-ja do jetë pro themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, para marrëveshjes finale siç kërkon BE-ja dhe ShBA-ja, ish-zëvendëskryeministri Selmanaj potencon se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh nga Qeveria në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

“Për takimin e 27 shkurtit nuk e kemi idenë çka do të flitet dhe cila do jetë agjenda. Gjashtë herë kemi raportuar për marrëveshjen e Washingtonit sa kemi qenë në qeveri. A neve nuk na raporton kryeministri për procesin e dialogut, ne s’kemi idenë çfarë marrëveshje do arrihet”.

Ai ka adresuar kritika ndaj kryeqeveritarit Kurti, meqë ky i fundit, “vetëm tri orë ka ardhur në Kuvend dha ka ikur”.

“Kjo është qeveria më jo transparente për procesin e dialogu”, shtoi Selmanaj.

Kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiç do të takohen më 27 shkurt në Bruksel me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e “Marrëveshjes Bazë” të mbështetur në propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Albanian Post nga burime diplomatike pati raportuar më 18 shkurt se një pajtim për nënshkrimin e marrëveshjes tashmë është dhënë nga të dyja palët.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, palët do të dalin me njoftimin se është arritur pajtim në frymën e kompromisit, edhe pse nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore