Shqipëria

PD-ja me 2 liderë, 1 kryetar dhe 0 fitore – Çfarë fati do të ketë?


Gjashtë bashki sollën përmbysjen e demokratëve të Lulzim Bashës.

Pavarësisht pjesëmarrjes tepër të ulët – ndoshta edhe për shkak të zgjedhjeve pa peshë të lartë politike – fuqia e vërtetë e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u tregua.

Veçse, ajo, ishte në trajtën e pafuqisë!

Durrësi, Dibra, Vora, Rrogozhina dhe Lushnja, do të mbesin në kampin e majtë edhe për një vit.

Bashkia e Shkodrës nga ana tjetër, tipikisht demokrate, përqafoi kandidatin e mbështetur nga ish-lideri i forcës së djathtë, Sali Berisha.

E përbashkëta e gjithë kësaj asimetrie politike, ishte vetëm një: Basha, mori më pak vota edhe se mësuesi i tij politik…

 

Domethënia dhe zhvillimi i 6 marsit

Gazetari dhe analisti, Frrok Çupi, për Albanian Post, thotë se këto zgjedhje, sa ishin rrugës, kishin marrë një kuptim, por në fund edhe ai sens ndryshoi.

“Në fund të zgjedhjeve u shfaq hapur një grupim politik anti-amerikan, i përqendruar në ‘Shtëpinë e Lirisë’,  ku ndodhen Berisha dhe Ilir Meta”, pretendon Çupi.

Për kreun e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, nga ana tjetër, këto zgjedhje nuk kanë realisht ndonjë domethënie specifike politike. Ato kanë vetëm një domethënie në funksion të një konjukture politike, e cila ndan dhe bashkon një krizë të forcës kryesore të opozitës dhe udhëheqësve të ndarë të saj.

Çipa gjithsesi, mendon se priten zhvillime të tjera me ribashkimin e Berishës dhe Metës. Përballë tyre, është Basha, një stoik si humbës dhe i palodhur në këtë fat, i cili tashmë është në akt të pakthyeshëm shembjeje politike.

“Zhvillimet si efekt i zgjedhjeve do të ndodhin vetëm brenda PD-së”, ravijëzon Çupi, duke shtuar se, “rithemelimi i Berishës do t’u bjerë burive se ‘kam fituar’ dhe, me këtë, do të sulmojë PD-në me të gjitha mjetet”.

PD-ja e bashkuar përballë socialistëve

Ajo çfarë ra në sy në këto zgjedhje, ishte fakti se edhe nëse PD-ja do të ishte e bashkuar, fati i bashkive në garë do të ishte përsëri i njëjtë.

I pyetur nga AP-ja se sa shqetësues është një fakt i tillë, Çipa e thotë i prerë se “ është shumë”.

Madje për të opozita si institucion në vend është në krizën më të thellë të mosbesimit elektoral.

“Kjo është krizë që nuk ka asnjë protagonist në pozitën e kuruesit, por të gjithë janë në pozitën e përdorimit për llogari vetjake. Madje fatkeqësisht edhe dorëheqjet e fundit në selinë zyrtare, nuk konvertohen në proces ndryshues për opozitën, por do të administrohen për llogari të një status quo-je të njohur”, shton analisti.

Ndërsa për Çupin është krejt e kundërta. Kjo për arsyen se dëshmon pjekurinë e demokracisë.

“Një demokraci me mazhorancë të konsoliduar është një demokraci vitale. Ka sistem ndryshimesh dhe reformash. Nuk ka sëmundje më të rëndë se ajo që kërkojnë disa se ‘qeverisja bëhet me radhë, një herë ti e njëherë unë’”, nënvizon ai.

Më tej, ai vijon duke thënë se “opozita që kemi është e vjetruar dhe pa vlerë”. “Vjetruar jo vetëm në kohë fizike, por sidomos në ide, në shtetformim, në shije qytetëse. Kjo e bën edhe të pa dobishme”.

Realiteti i PD-së

“Jo, nuk janë këto zgjedhje parciale simptoma e fundit e një trupi që po shkon drejt vdekjes. Sigurisht që foltorja dëshiron ta paraqesë si ‘fundin e botës’ në PD”.

Kështu mendon Çupi mbi argumentin se nëse këto zgjedhje e treguan realisht situatën se ku ndodhen demokratët.

“Fitorja e Berishës është vetëm një iluzion. Askush nuk di sa vota ka në atë grup nga foltorja, sa nga LSI-ja, sa nga PDK-ja. Lëvizja e Berishës është e pa ligjëruar, ajo nuk prodhon vlerë politike dhe juridike”, thekson gazetari.

Për më tepër, ai shton se “zgjedhjet lokale nuk mund të venë në dyshim se institucionet e PD-së janë institucione legale dhe se grupimi parlamentar i PD-së ka një rol vendimtar opozitar politik dhe ligjvënës në Parlament”.

Por për Çipën, këto zgjedhje e treguan plotësisht trukun përfundimtar goditës ndaj kryetarit Basha.

“Basha udhëtoi në humbje të njëpasnjëshme elektorale dhe nuk ia doli të potencohej politikisht. Kjo, pavarësisht alibive apo edhe shkaqeve të humbjeve. Brenda Partisë së vet, vijoi të shënonte rekord vijues të mosmbështetjes, edhe kur ajo po jepte prova të ndarjes me berishizmin”, ravijëzon ai.

Basha në krye apo…

Çipa nuk ka besim në mëtejshmërinë e Bashës si kryetar i partisë.

“Shtylla morale dhe ajo e arsyeve të tjera është shkërmoqur. Nuk ka asnjë pikë tjetër potenciale mbështetjeje”, përmbyll ai.

Por për Çupin, pavarësisht gjithçkaje, nëse e vendos Bashës përballë Berishës, zgjidhja është e qartë: Me Bashën edhe ka ndonjë shpresë se PD-ja mund të ngjallet. Me Berishën, kurrë.

Basha pranoi se përgjegjësi kryesor i këtyre zgjedhjeve ishte ai. Ama, dorëheqjen nga drejtimi i PD-së, nuk e dha.

Përtej lidershipit, me apo pa Bashën, fati i PD-së duket në rënie të lirë në këto votime të fundit, pas një ringritjeje të lehtë më 25 prill 2021!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore