Lajme

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata urdhëron sekuestrimin e përkohshëm të vilave në Brezovicë


Brezovica.

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka marrë vendim që të lëshoj urdhër për sekuestrimin e përkohshëm të pronave në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, për të cilat është raportuar se janë ndërtuar kundërligjshëm.

Lajmin për Albanian Post e konfirmoi zëdhënësja e gjykatës, Tringa Zhuti.

“Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe ka lëshuar urdhër për sekuestrim të përkohshëm të pronave në Parkun Kombëtar Sharri në Brezovicë”, deklaroi Zhuti për AP.

Deri më tani Prokuroria Themelore në Ferizaj ka sekuestruar rreth 75 vila të ndërtuara pa leje në zonën e Brezovicës.

Kështu kishte bërë të ditur për Albanian Post, prokurori i rastit, Rasim Maloku.

Ndryshe një ditë më parë Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte kumtuar lajmin se po vazhdon aksioni i Policisë së Kosovës dhe prokurorisë në fjalë për sekuestrimin e objekteve të ndërtuara pa leje në Brezovicë, apo më saktësisht në zonën e II-të, të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Ilustrim

Sipas të dhënave të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në këtë zonë janë të ndërtuar rreth 100 objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Ndërsa më 11 tetor, Prokuroria Themelore në Ferizaj nëpërmjet një komunikate për media, kishte njoftuar se ka sekuestruar rreth 100 objekte të ndërtuara pa leje në zonën e Brezovicës.

Sipas këtij njoftimi, prokuroria pas vlerësimit të raporteve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Agjencisë Kadastrale lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm të objekteve të ndërtuara në Brezovicë, ka konstatuar se mbi 100 objekte janë të ndërtuara pa leje dhe të njëjtat i ka sekuestruar.

Sipas prokurorisë, këto objekte janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme si rrjedhojë e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti, prandaj edhe i ka sekuestruar përkohësisht.

Rasim Maloku

Nga pesë aksionet e mëparshme të policisë dhe prokurorisë në këtë rast, deri më tani janë arrestuar 26 të dyshuar, prej të cilëve 4 janë liruar në procedurë të rregullt dhe 19 prej tyre iu është caktuar masa e paraburgimit, kurse u janë bllokuar afër 6 milionë euro.

Ndërsa, tre të dyshuarve në këtë rast, iu është caktuar masa e sigurisë, me të cilën iu është urdhëruar paraqitja në stacion policor dhe ndalimi për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar.

Në mesin e këtyre të arrestuarve, është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, i cili dyshohet se ka përfituar 1 milion euro jashtëligjshëm nga dhënia e lejeve për ndërtim të villave në zonën e Brezovicës.

Ndryshe, aksioni “Brezovica”, filloi më 21 dhjetor 2021 dhe është i udhëhequr nga prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, të cilët kanë zhvilluar këtë aksion në Komunën e Shtërpcës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore