Lajme

Partitë ultra-nacionaliste serbe: Politika e Qeverisë në raport me Kosovën ka kolapsuar, Beogradi të insistojë në riafirmimin e Rezolutës 1244


Boshko Obradoviç dhe Milica Gjurgjeviç Stamenkovski

Partitë ultra-nacionaliste në Serbi, “Dveri” dhe “Zavetnici”, kanë vlerësuar se politika e Qeverisë aktuale në Beograd për Kosovën ka kolapsuar.

Autoritetet në Serbi, sipas dy këtyre partive, duhet që në takimin e ardhshëm me ambasadorët e QUINT-it të insistojnë në “ripohimin e plotë” të Rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kryetari i Dverit, Boshko Obradoviç, siç po raporton agjencia e lajmeve serbe, Beta, ka vlerësuar se gjithçka që ka bërë qeveria aktuale në lidhje me Kosovën në 11 vitet e fundit e ka çuar vendin në një “situatë katastrofike”.

Ai ndër të tjera ka potencuar se Beogradi zyrtar duhet të ndryshojë kornizën negociuese për Kosovën, e cila, sipas tij, ka përjetuar vetëm disfata.

“Mesazhi ynë është i thjeshtë: kërkojmë nga qeveria pro Brukselit dhe opozita pro Brukselit që të refuzojnë menjëherë dhe në tërësi ultimatumin franko-gjerman për Kosovën”, ka thënë Obradoviç.

Në anën tjetër kryetarja e “Zavetnik”, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, ka thënë se pikënisja e politikës së Beogradit në lidhje me Kosovën duhet të jetë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së “dhe jo një ultimatum franko-gjerman”.

“Është i vetmi dokument që Serbia duhet t’i përmbahet, sidomos në rrethanat e reja gjeopolitike që favorizojnë Serbinë. Në seancën e Këshillit të Sigurimit të dielën, lidershipi shtetëror duhet të ftojë të gjithë anëtarët e atij organi që të respektojnë atë që është rënë dakord në vitin 1999”.

Ajo gjithashtu kërkoi që përfaqësuesit e Serbisë në atë seancë t’i informojnë anëtarët e Këshillit të Sigurimit se çdo propozim për marrëveshje të bazuar mbi njohjen e pavarësisë së Kosovë “është i papranueshëm për Beogradin dhe të përsërisin qëndrimin se Serbia është kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore