Lajme

Para largimit nga Kosova, Peach viziton ushtarët britanikë që erdhën së fundi


Lord Stuart Peach

Në fund të vizitës së tij në Kosovë, i Dërguari Special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka takuar ushtarët britanikë nga Regjimenti i Princeshës së Uellsit në Kampin Bondsteel, të cilët së fundi janë dislokuar në Kosovë, pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Foto: Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë

Siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, Lord Peach, i ka vlerësuar ata për vendosjen e shpejtë dhe profesional, derisa i ka falënderuar për kontributin e dhënë në mandatin e KFOR-it “për të mbajtur një ambient të sigurt gjatë vendosjes së tyre këtu”.

Pas tensioneve të fundit në Veri të vendit, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë shtuar trupat në radhët e tyre, për të siguruar kështu një mjedis të qetë dhe të sigurt, dhe për të parandaluar çfarëdo incidenti që mund të rrezikonte seriozisht stabilitetin e vendit, por edhe të rajonit në përgjithësi.

Në këtë drejtim më 6 tetor të këtij viti kishte mbërritur në Kosovë kontingjenti i parë prej 200 ushtarësh britanikë në Kosovë – nga 400 gjithsejtë sa do vijnë.

Këta ushtarë, tanimë kanë nisur patrullimet në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ushtarët britanikë, siç raportonte prestigjiozja “Rueters”, janë duke punuar me orar të zgjatur deri në 18 orë për t’u siguruar që asnjë armë ose grup të armatosur të mos të hyjë në Kosovë.

Sa i përket vizitës së Peachit në Kosovë, i njëjti pasi ka përfunduar takimet me krerët e shtetit, përmes një video-mesazhi, ka thënë se është informuar për një sërë çështjesh, përfshirë edhe sulmin terrorist në Banjë më 24 shtator, teksa ka kërkuar progres në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë video-mesazh, top-diplomati britanik ka konsideruar se rezultatet duhet të tregohen në marrëveshjet e arritura me Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Progresi në themelimin e një Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe konteksti i zbatimit më të gjerë, me marrëveshjet e arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është pjesë e rëndësishme e këtyre përpjekjeve”, ka thënë Peach.

Ai ka konfirmuar se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar siguri në Kosovë, do të vazhdojë.

“Në të gjitha këto takime, kam theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës. Kam dëgjuar me kujdes shqetësimin e thellë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjë dhe kam përsëritur se Britania pret që autorët të japin llogari”, ka thënë Peach.

Ai ka theksuar se të njëjtin mesazh e ka përcjellur edhe në Serbi, gjatë vizitës së tij javën e kaluar.

“Kam dëgjuar nga serbët e Kosovës për shqetësimet e tyre dhe për shpresat e tyre për të ardhmen”.

“Pas dhunës së muajve të fundit, tani me angazhimin e përforcuar të sigurisë ndërkombëtare, është koha për të adresuar këto shqetësime dhe për të vazhduar me përpjekjet ekzistuese për të siguruar që të gjithë qytetarët të ndjejnë se kanë një të ardhme dhe një Republikë të larmishme dhe multietnike të Kosovës”.

Peach përfundon vizitën në Kosovë, kërkon progres në themelimin e Asociacionit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore