Lajme

Pahor pas takimit me Vuçiç: “I shqetësuar që dialogu është ndalur”


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë vizitës së tij në Beograd, ku takoi Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtij të fundit i tha se është “i shqetësuar që dialogu Kosovë-Serbi është ndalur”.

Pahor tha edhe se është “i shqetësuar për disa procese dhe deklarata që janë dëgjuar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht kohëve të fundit”.

“BE mund të reagojë shpejt ndaj tyre”, ka thënë presidenti slloven.

“E falënderoj presidentin Vuçiç për këtë diskutim dhe që më përmendi ushtarët slloven në Kosovë. Do t’i vizitoj nesër”, deklaroi për media ai.

Ai tha gjithashtu se gjatë vizitës së tij në Kosovë, do t’u kërkoj bashkëbiseduesve të tij “të implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel”.

“Sllovenia është mbështetëse e madhe e dialogut, vonesa e dialogut nuk është as në benefitin e Serbisë e as të Kosovës”.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

“Negociatat duhet të vazhdojnë në mënyrë që të rregullohen marrëdhëniet, në mënyrë që të mos rrezikohet paqja, siguria dhe bashkëpunimi rajonal”, përfundoi ai.

Ndërkaq Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u shpreh se është i lumtur për marrëdhëniet e mira mes Serbsisë dhe Sllovenisë.

“Ne biseduam për situatën në Kosovë, marrëdhëniet tona, dialogun në Bruksel dhe problemet me të cilat po ballafaqohemi në përpjekjen për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, deklaroi Aleksandër Vuçiç.

Vuçiq tha se Sllovenia është “vendi i shtatë për nga numri i ushtarëve në KFOR dhe Serbia dëshiron bashkëpunim edhe më të ngushtë me misionin ushtarak ndërkombëtar në Kosovë, i cili ka një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”.

“Bashkëpunimi dhe komunikimi ynë i mirë është me interes jetik për të gjithë banorët e Kosovës, në këtë rast për serbët në veçanti. Një pjesë e kontingjentit slloven merr pjesë në ruajtjen e manastirit të Visoki Deçanit, i cili është i një rëndësie të veçantë për ne. “, përfundoi Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore