Shqipëria

‘Pagesë dhe trajnim si asnjëherë më parë’- Nisin rekrutimet për ushtarë dhe detarë në FA


Të hënën e 27 dhjetorit në Shqipëri kanë filluar rekrutimet për ushtarë dhe detarë në Forcat e Armatosura.

Ka qenë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, që e ka njoftuar hapjen e këtij procesi në median sociale “Facebook”.

Ndërsa shkruan se “ofrohen kushte pagese dhe trajnimi si asnjëherë më parë”, Peleshi fton të gjithë të rinjtë e interesuar të shohin kriteret e pranimit.

Në njoftimin e tij, shkruhet se Ministria e Mbrojtjes e konsideron “thelbësore” për Forcat e Armatosura rekrutimin e ushtarëve me një profil “sa më të lartë”.

Pjesë e këtij procesi do të mund të bëhet çdo i ri nga mosha 18-27 vjeç, që nuk ka probleme me ligjin.

Gjithashtu duhet të ketë një figurë të pastër morale, që nuk është person i dyshuar, i padëshirueshëm, i evidentuar dhe implikuar nga organet e zbatimit të ligjit për veprimtari të kundërligjshme apo kriminale.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes janë publikuar të gjitha kriteret që kërkohen për procesin e rekrutimit, ku përcaktohet edhe kalimi i tre testeve; ai fizik, intelektual dhe psikologjik që do të kryhet në faza të caktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore