Lajme

Osmani uron kryetarët e komunave, kosovarët treguan kulturë të lartë demokratike


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ka vlerësuar kulturën e lartë demokratike të treguar nga qytetarët e Kosovës.

“Kosova dëshmoi se është demokraci e konsoliduar, e aftë që të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike, shembull për rajonin e më gjerë”, thuhet në komunikatën nga Zyra e Presidencës.

Osmani ka përshëndetur fitoren e kandidatëve fitues në raundin final të zgjedhjeve lokale duke uruar atyre realizimin e premtimeve të dhëna para qytetarëve të Kosovës.

“Falënderojë institucionet e vendit për angazhimin në këtë proces, para së gjithash KQZ-në për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, policinë e Kosovës, mediet, institucionet e drejtësisë si dhe të gjithë akterët e tjerë të angazhuar”, përfundon komunikata.

Të dielën e 14 nëntorit në Kosovë në 21 komuna nga 38 gjithsejtë u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Kështu bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, Partia Demokratike e Kosovës në raundin final të zgjedhjeve lokale ka fituar në pesë komuna.

Lëvizja Vetëvendosje, që në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, në raundin e balotazhit, fitoi në katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh.

Lidhje Demokratike e Kosovës arriti të triumfojë në pesë komuna në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Ndërsa në garën e balotazhit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, fitoi në tri komuna.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore