Lajme

Osmani takon Von der Leyn: Kemi nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e Komisionit Evropian


Vjosa Osmani dhe Ursula von der Leyen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të premten në Granada të Spanjës, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Përmes një postimi në platformën X, Osmani ka thënë se shteti që ajo e drejton ka nevojë “më shumë se kurrë” për mbështetjen e Komisionit Evropian, “ndërkohë që po përballemi me sfida të paprecedentë”.

Osmani ka përfaqësuar Kosovën në Samitin e tretë më radhë të Komunitetit Politik Evropian, që këtë herë u mbajt në Granadë të Spanjës.

Subjekt i diskutimit në mes të afro 50 liderëve evropianë në këtë samit kanë qenë edhe tensionet e krijuara në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

E para vendit ka zhvilluar takime të rëndësishme atje, duke përfshirë atë më kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Rishi Sunak, kryediplomatin evropian Josep Borrell e shumë të tjerë.

Vjosa Osmani dhe Rishi Sunak

Në të gjitha këto takime, presidentja ka kërkuar që ndaj Serbisë të vendosen sanksione, pasi që e ka bërë përgjegjëse atë për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë heroi Afrim Bunjaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore