Lajme

Osmani: S’ka gjë më të dhimbshme për një shoqëri sesa humbja e besimit në drejtësi


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 15 vjetorin e Kushtetutës së Kosovës, konsideron se nuk ka asgjë më të keqe sesa që qytetarët të humbasin besimin në institucionet e drejtësisë.

“S’ka gjë më të dhimbshme për një shoqëri se sa të humbin besimin në drejtësi. Gjersa po festojmë këtë përvjetor shpreh gatishmërinë për të vazhduar në shërbim të vendit ashtu siç kërkon Kushtetuta”.

Osmani, gjatë pjesëmarrjes së saj në konferencën “Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës” e organizuar me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, nga Grupi për Ballkan, u shpreh se Kosova është ndër vendet e pakta që garanton në mënyrë specifike të drejtat e minoriteteve.

“Në 15 vjetorin e Kushtetutës sonë ne duhet të reflektojmë mbi ata që a përben kjo Kushtetutë bazë të mirë për ecjen përpara të vendit tonë. Me shumë krenari e themi që jemi ndër vendet e pakta që kanë një garantim të të drejtave të minoriteteve dhe të gjithë qytetarëve”, deklaroi Osmani.

Teksa, shtoi se Kosova është njëri ndër vendet me vlerësimet më të larta në rajon.

“Një armë shumë e rëndësishme e Kushtetutës sonë është korniza institucionale. Kushtetuta jonë është tejet unike që i mvesh presidentes një detyrë të rëndësishme. Gjatë këtyre 15 viteve, Kushtetuta ka ndryshuar. Para Gjykatës Kushtetuese janë edhe amendament për Vettingun”.

Gjithashtu, në këtë konferencë është prezantuar edhe raporti i politikave, “Kushtetuta e Kosovës: Rishikim Gjithëpërfshirës & Analizë Ligjore”.

Ky raport analizon 21 çështje kushtetuese që lidhen me sistemin e ligjeve, funksionimin e institucioneve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese si dhe propozon zgjidhje për mangësitë kushtetuese.

Kushtetua e Kosovës ka 14 kapituj dhe 162 nene.

Më parë Kosova ishte qeverisur nga një Kornizë Kushtetuese e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB dhe e ratifikuar më 2001 që i mundësonte Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes disa kompetenca të rezervuara ndaj Përfaqësuesit special të Sekretarit Gjeneral të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore