Lajme

Osmani në OKB: Gratë e Kosovës ishin bosht i rëndësishëm në kohën e luftës, pastaj edhe në kohën e paqes


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në kuadër të agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”, ka folur për rëndësinë e grave të Kosovës duke u shprehur se kanë kaluar shumë vështirësi, veçanërisht gjatë luftës gjenocidale të Serbisë në Kosovë.

Roli i grave sipas Osmanit, “aq sa ishte bosht i rëndësishëm në kohën e luftës”, më pas u bë edhe në “kohë paqe”.

“Shteti im e kupton shumë mirë rëndësinë e kësaj agjende, veçanërisht në atë se gratë kosovare kaluan si pasojë e luftës gjenocidale, por po ashtu për rolin ekstrem të rëndësishëm që e patën në kohën e paqes”.

“Ato i shoh si shembuj të gjallë të agjendës së WPS-së. Në kohë të represionit, të luftës ose në kohën e pasluftës, në kohën e rrugëtimit të shtetësisë, në procesin e rikthimit apo rimëkëmbjes, gratë e shtetit im kanë qenë forca që nuk janë ndalur kurrë. Forcë transformuese, e unitetit dhe forcë e paqes”.

Ndërsa, ka përmendur edhe rastet e dhunimeve seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat paramilitare serbe dhe përkrahjen që ka jepur shteti ndaj tyre.

“Mijëra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në shtetin tim janë rikujtim se pse na nevojitet Women Peace and Security. Kosova ka themeluar një sistem unik për t’i përkrahur të mbijetuarat e dhunës seksuale, tash po punojmë me partnerët t’i përkrahim gratë e Ukrainës, Afganistanit dhe shteteve të tjera ku po kalojnë shkelje të të drejtave të njeriut”, deklaroi Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Teksa potencoi se Kosova brenda 15 vjetëve si shtet i pavarur ka pasur dy presidente gra.

“Me dy presidente gra në vetëm 15 vjet si shtet i pavarur, në gra të përfshira në negociata, në përfshirje të grave në sistemin e sigurisë, Kosova ka një histori të veçantë të tregojë”, tha ajo.

“Them folni me gratë, dëgjoni, punoni me to, e ardhmja paqësore është e sigurt me gratë”, ka përfunduar ajo.

Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet.

Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë, ndërsa ka të dhëna për rreth 900 viktima.

Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill është shënuar Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore