Lajme

Osmani: LVV-ja s’do të ndikojë në zgjedhje, por mund të fragmentojë politikën shqiptare


Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, derisa komentoi shkrirjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) përtej kufijve shtetëror, përkatësisht në trupin elektoral të Maqedonisë së Veriut (RMV) në kuadër të opozitës shqiptare, tha se kjo “nuk do të ndikojë në procesin zgjedhor”, ndërsa kujtoi se “përpjekje të tilla” ka pasur edhe në të kaluarën.

Kështu deklaroi shefi i diplomacisë maqedonase nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në një konferencë për shtyp, pas një takimi të zhvilluar në Shkup me ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ku edhe njëherë u theksua domosdoshmëria e unifikimit të faktorit shqiptar, por edhe “forcave progresive” në rajon.

Osmani përmendi përkrahjen e LVV-së për kandidatin e përbashkët të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Blerim Reka, në garën për president të RMV-s në zgjedhjet e vitit 2019. Ai theksoi se ashtu sikurse nuk arritën ta shtrijnë ndikimin para pothuajse pesë vitesh, nuk do kenë sukses as tani, porse nuk e mohoi se “mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare”.

“Nga eksponentë të lartë të Kosovës ai mori mbështetje në tubime dhe organizime tjera. Por, kjo tregoi se skena politike e shqiptarëve në RMV është e konsoliduar. Dhe ashtu siç nuk ndikoi atëherë, nuk pres që në ndonjë mënyrë të ndikojë edhe tani”, tha kreu i diplomacisë maqedonase, transmetoi “Radio Evropa e Lirë” të mërkurën, derisa ndër të tjera shtoi:

“Fragmentimi i skenës politike shqiptare në parti më të vogla politike, dobëson fuqinë e përfaqësimit në mënyrë të duhur në shtet sepse ka pasur një tendencë shpesh e nxitur edhe nga faktorë të jashtëm… që të mos kenë një platformë të përbashkët politike, që në nivel shtetëror i përfaqëson shqiptarët dhe ta përcjellë vullnetin e tyre politik në institucione”.

E shumë i habitur është shprehur javë më parë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili theksoi se partitë simotra edhe mund të mbështesin një parti politike në një vend të caktuar, porse kurrë nuk ka ndodhur që një parti politike të marrë pjesë në zgjedhjet e një vendi tjetër, sipas modelit të instaluar rishtas nga partia kosovare në pushtet.

LVV në Maqedoni të Veriut, precedent i rrezikshëm për përmbushje personale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore