Kosova

Osmani, Kurti e Konjufca vizitojnë BIK-un për Bajram të Fitrit: Do vazhdojmë të punojmë në të mirë të qytetarëve dhe shtetit tonë


Albin Kurti dhe Naim Ternava

Krerët e shtetit dhe liderët e opozitës me rastin e festës së Bajramit të Fitrit kanë vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), ku janë pritur nga myftiu Naim Tërnava, ku i kanë uruar besimtarët myslimanë për këtë festë.

Presidentja Vjosa Osmani, pas vizitës në BIK, ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë bashkë me këtë institucion në të mirën e qytetarëve dhe shtetit.

“Shpresojmë që lutjet përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë lutje të pranuara dhe për t’i falënderuar për rolin që Bashkësia Islame e Kosovës luan në mënyrë që shteti ynë, qytetarët tanë të ecin përpara”, tha Osmani.

“Unë dua që t’i falënderoj për bashkëpunimin e gjithmonshëm edhe Kryemyftiun Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij, në mënyrë që sfidat me të cilat ballafaqohet vendi ynë dhe shteti ynë t’i tejkalojmë sa më parë e sa më mirë dhe t’i falënderoj edhe për kontributin që e kanë dhënë gjatë muajit të Ramazanit, duke i dhënë përkrahje dhe ndihma të gjitha familjeve që janë në nevojë”, shtoi.

Vjosa Osmani dhe Naim Ternava

Edhe kryeministri Albin Kurti, uroi besimtarët për festën e Bajramit të Fitrit, derisa ka kujtuar edhe 37 hoxhallarët e rënë dëshmorë në luftën e fundit.

”Muaji ramazanit ishte muaj i sakrificës dhe solidaritetit dhe të gjithë e dinë nga përvoja dhe historia se solidariteti dhe sakrifica janë njësi që sjellin mbarësi. Në këtë pranverë për çdo ditë po përkujtojmë 25 vjetorin e masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin tonë, në vendin tonë, por njëkohësisht beteja të lavdishme të UÇK-së, andaj me këtë rast duhet përkujtuar edhe 37 hoxhallarë, imamë që janë dëshmorë të kombit nga lufta fundit”, theksoi Kurti.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo festë e rëndësishme përmban mesazhin e qartë dhe shumë të sinqertë për fisnikërimin e shpirtit, si një formë e falënderimit ndaj krijuesit përmes agjërimit dhe sakrificës, “e cila na shtyn në dritën e solidaritetit për të krijuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë”.

Glauk Konjufca dhe Naim Ternava

“Nëpërmjet kësaj sakrifice dhe këtij solidariteti ne afrohemi më tepër me njëri-tjetrin, me familjet tona, rrisim harmoninë brenda familjeve tona dhe shoqërisë e popullit tonë”, potencoi Konjufca.

BIK-un, gjatë ditës, e kanë vizituar edhe partitë opozitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore