Kosova

Osmani, hendbollisteve: Urime kualifikimin në Kampionatin Botëror, vazhdoni ta ngritni lart flamurin


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar vajzat hendbolliste të U18 për kualifikimin për Kampionatin Botëror që do mbahet gjatë muajit gusht në Kinë.

“Urime ekipit tonë të hendbollit të femrave U18, trajnerëve të tyre të përkushtuar dhe të gjithëve  për kualifikimin në Kampionatin Botëror. Vazhdoni të ngritni lart flamurin tonë”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është gëzuar kualifikimit të hendbollisteve të Kosovës U18 në botëror.

“Kosova në botëror. Vajzat tona hendbolliste në U-18, sot u bënë kampione të garës “IHF Trophy Intercontinental”, që u zhvillua gjatë këtyre ditëve në Uzbekistan. Me katër fitore të njëpasnjëshme, ato arritën suksesin historik të Kosovës duke u kualifikuar në Kampionatin Botëror 2024. Shumë urime dhe shumë suksese në rrugëtimin e botërorit”, ka shkruar Kurti në Instagram.

Në ndeshjen vendimtare për kualifikim, Kosova e mposhti Nigerinë me rezultat 22:16, derisa hendbollistet kosovare shfaqën më shumë në momente vendimtare dhe siguruan titullin e kampionit si dhe kualifikimin në Kampionatin Botëror.

Sipas njoftimit të Federatës së Hendbollit, Diona Dresh u shpall lojtare e ndeshjes. Ajo i shënoi shtatë gola nga tetë tentime. Sara Gjergjaj e organizoi ndeshjen dhe i realizoi pesë gola nga shtatë tentime.

Katër gola i kishte Andra Uglani, ndërsa nga tri i realizuan Orgesa Gola e Arjeta Imeraj. Kontribut me pritje të shumta dha portierja Alina Shabani, por edhe të gjitha lojtaret tjera.

Ndërkaq Federata e Hendbollit e Kosovës ka uruar shtabin teknik të udhëhequr nga Mitat Ferati për suksesin historik si dhe të gjitha vajzat që kanë kontribuuar në këtë sukses të madh.

IHF Trophy ishte rrugë e dytë dhe më e shkurtër drejt Botërorit. Si kualifikime të rregullta kanë shërbyer kampionatet evropiane të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore