Kosova

Osmani diskuton me Hovenierin për procesin e dialogut


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me te cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet në dialogun me Serbinë.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e largimit të masave për të krijuar një situatë e barabartë në tryezën e dialogut”, thuhet në njoftim për media të zyrës së Osmanit.

Tutje, Presidentja Osmani dhe ambasadori Hovenier diskutuan edhe për koordinimin e agjendës ndërkombëtare të Presidentes Osmani.

“Në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, Presidentja përcolli urimet më të mira për popullin amerikan, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e vazhdueshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara”.

Osmani, paraprakisht, në organizimin që u bë të hënën nga Ambasada e Hungarisë në shënimin e fillimit të presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, ka kërkuar nga BE-ja që “urgjentisht” t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa ka theksuar se ato po dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Është ndërtimi i një Evrope të bazuar në parimin e barazisë, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, kështu që le të jenë këto parime udhëzuese me shpresën që Hungaria të udhëheqë BE-në, me hapa konkretë duke i ofruar Kosovës statusin e kandidatit të merituar prej kohësh. Si dhe duke hequr urgjentisht masat që po dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve tanë”, theksoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore