Lajme

Osmani: Dialogu Kosovë-Serbi e ka vetëm një epilog, njohja reciproke


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nder të festës së pavarësisë së Kosovës ka mbajtur fjalim në Kuvendin e Kosovës.

Osmani në fjalimin e saj ka thënë se Kosova nuk mund të jetë “ishull i izoluar” ndaj sfidave e kërcënimeve.

“Sigurisht, Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar karshi sfidave e kërcënimeve që e kanë sfiduar gjithë kontinentin tonë dhe botën demokratike, por ajo nuk mund të i injoroj edhe kërcënimet e sigurisë ndaj saj të cilat vinë si rrjedhojë e përpjekjeve për ta minuar shtetësinë tonë”, deklaroi Osmani.

Ajo ka theksuar se përpjekjet për ta cënuar shtetësinë e Kosovës janë duke vazhduar por së bashku do të përballen me të gjitha.

“Sot e kësaj dite forcat destruktive provojnë ta cenojnë shtetësinë tonë, ato provojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre duke bërë përpjekje që ta thejnë unitetin tonë historik, por ne nuk duhet të lejojmë që shoqëria jonë të polarizohet karshi sfidave të tilla”.

“Në përballje me Serbinë, duhet dhe do të jemi një. Si gjithnjë ne duhet të reflektojmë maturi e të bashkëndjejmë e të bashkëveprojmë karshi sfidave. Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithësecilit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Ajo ka shtuar se dialogu Kosovë-Serbi e ka vetëm një epilog.

“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, një epilog që e kemi thënë të gjithë dhe që e ka thënë edhe presidenti Biden, ajo është njohja reciproke. Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti janë të panegociueshme”.

Osmani në këtë ditë ka falënderuar secilin qytetarë për kontributin e tyre në ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke falënderuar aleatët ndërkombëtarë të cilët ka thënë se kanë qenë “shpëtimtarë e miqtë të lirisë”.

“Por, sot i kujtojmë e i falënderojmë edhe miqtë tonë e aleatët ndërkombëtarë të cilët i kemi quajtur me të drejtë shpëtimtarë e miqtë të lirisë të cilët kanë qenë së bashku me ne përherë kur ne ishim të shtypur e luftonim për liri kur ne u çliruam dhe filluam jetën demokratike në vendin e lirë, ata janë këtu edhe sot, partnerë të besueshëm e të qëndrueshëm me të cilët bashkërisht po e krijojmë të ardhmen tonë”.

Presidentja ka kërkuar nga të gjithë deputetët që të punojnë bashkë për forcimin e shtetit.

Pasi sipas saj, sa më shumë që të tjerët punojnë për minimin e shtetit tonë aq më i fortë do të jetë “uniteti ynë për ta forcuar dhe për ta përparuar atë”.

“Në këto 15 vjet Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri ajo ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike, i ka ndërtuar e zhvilluar kapacitet e saj shtetërore dhe ka krijuar bazë solide për bazë të mëtutjeshme”.

Ndër të tjera ka theksuar përpjekjet e Kosovës për t’u fuqizuar në rrugët evropiane.

“Institucionet po forcohen dita ditës e kjo është e arritur e madhe e qytetarëve tonë e sfidat i kemi kaluar me urti. Këto sfida nganjëherë na kanë bërë të përplasemi për brenda, por sigurisht na kanë bërë më të fortë. Këto sfida janë të pranishme edhe sot kur Kosova falë përcaktimit të saj të përhershëm po përpiqet të fuqizoj pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit në struktura euroatlantike”.

“Republika jonë është e përjetshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore