Lajme

Orteku në Himalajet indiane lë dhjetë të vrarë dhe dhjetëra të zhdukur


Instituti i alpinizmit në veri të Indisë ka njoftuar se të paktën dhjetë viktima dhe të tjerë janë zhdukur në Himalajet indiane pasi një grup prej 41 alpinistësh u godit nga një ortek.

I përbërë nga 34 kursantë alpinistësh dhe shtatë instruktorë, grupi u godit nga orteku në orën 08:45 të mëngjesit të së martës së 4 tetorit.

Grupi u godit nga një ortek në një majë mali të vendosur në vargmalin Gangotri të Himalajeve Garhwal, ka treguar Ashok Kumar, shefi i policisë së shtetit Uttarakhand.

Ekipet e shpëtimit nxorën tetë të mbijetuar dhe i dërguan në spital.

Katër trupa u gjetën teksa zyrtarë nga forcat shtetërore dhe kombëtare të reagimit ndaj fatkeqësive dhe forcat ajrore indiane kërkuan zonën, sipas institutit.

Të trajnuarit, duke u përgatitur për ngjitje në lartësi të mëdha, po ktheheshin nga maja malore Draupadi ka Danda-II prej 5 mijë e 670 metrash.

Zyrtari më i lartë i zgjedhur i shtetit Uttarakhand, Pushkar Singh Dhami, ka treguar se forca kombëtare e reagimit ndaj fatkeqësive dhe ushtria indiane dërguan ekipe për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.

Ndërsa forcat ajrore indiane dërguan dy helikopterë për të kërkuar të zhdukurit.

“Ka ndodhur për herë të parë në historinë e alpinizmit indian që një grup kaq i madh alpinistësh praktikantë të jetë vrarë në një ortek”, ka treguar Amit Chowdhary, një zyrtar në Federatën Ndërkombëtare të Ngjitjes dhe Alpinizmit.

Ortekët janë të zakonshëm në zonat malore të Uttarakhand. Në vitin 2021, një akullnajë shpërtheu, duke rezultuar në një përmbytje të shpejtë që la më shumë se 200 njerëz të vdekur.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore