Lajme

Orbán përsërit kundërshtimin ndaj bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës në BE


Një ditë para fillimit të samitit të liderëve evropianë në Bruksel, kryeministri hungarez Viktor Orbán, ka përsëritur qëndrimin e tij se Hungaria do të bllokojë hapjen e negociatave të pranimit me Ukrainën.

“Bashkimi Evropian po përgatitet të bëjë një gabim të tmerrshëm dhe ata duhet të parandalohen– edhe nëse 26 duan ta bëjnë këtë, dhe vetëm ne jemi kundër”, ka thënë ai.

Gjatë një interviste, kryeministri hungarez ka thënë se “pozicioni hungarez është se nëse duam t’i japim Ukrainës mbështetje, një sinjal gjeopolitik, atëherë le t’ia japim, por ky nuk është anëtarësim”.

Ai ka argumentuar po ashtu se hapja e rrugës së Ukrainës drejt anëtarësimit do të minonte besueshmërinë e bllokut.

“Kjo është arsyeja pse unë them, hiqni anëtarësimin nga rendi i ditës, Hungaria do të insistojë, kështu që kjo çështje nuk ia vlen të debatohet seriozisht, ajo rrugë është e mbyllur, sepse Hungaria nuk pajtohet me këtë. Por le të flasim me arsye se si, brenda kornizës së një partneriteti strategjik, t’u japim ukrainasve gjëra me të cilat ne i forcojmë ata gjeostrategjikisht”.

Ai ka thënë se nuk i ka përzier çështjet e parasë dhe parimit. Për çështjen e fondeve të ngrira të BE-së, Orbán ka theksuar se ai beson se Hungarisë i detyroheshin paratë.

Gjithashtu ai ka lënë të kuptohet se Budapesti është i hapur ndaj komprometimit në çështjet financiare.

“Unë jam i gatshëm për çështje financiare, për të bërë marrëveshje financiare. Por nuk jam i gatshëm për çështje financiare, për të bërë marrëveshje strategjike apo politike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore