Lajme

Opozitari rus: Putini ia ka mësyrë Ballkanit, po përpiqet ta destabilizojë përmes Serbisë


Mihail Khodorkovsky

Opozitari rus, Mihail Khodorkovsky, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, do të përpiqet të destabilizojë Ballkanin përmes aleatëve të ekstremit të djathtë të Rusisë në Serbi të cilët kanë ngritur në një nivel tjetër bashkëpunimin me organizatat terroriste ruse në Kremlin pas luftës në Ukrainë.

“Putini mbështet radikalët e çdo natyre. Bëhet fjalë për destabilizimin. Më pas ai mund të pozicionohet si një njeri që e menaxhon situatën e paqëndrueshme. Nëse lufta vazhdon, ai do të përpiqet të destabilizojë Ballkanin për t’ua bërë jetën më të vështirë evropianëve”, tha ai.

Ai ka kujtuar edhe kohën kur presidenti rus mundohej të destabilizonte Malin e Zi, dikur aleat që i ktheu shpinën Rusisë për t’u bashkuar me NATO-n në vitin 2017 dhe ka vendosur sanksione ndaj Kremlinit për agresionin ndaj Ukrainës.

“Fatmirësisht, rusët janë idiotë. Ata e provuan këtë në Mal të Zi dhe e larguan atë vend prej tyre, humbën ndikimin e tyre. Por nuk mund të llogarisni gjithmonë në faktin se ata do të jenë gjithmonë idiotë”, shpjegoi fillimisht Khodorkovsky.

“Ndikimi i Rusisë u zvogëlua pas sanksioneve. Por, partitë e djathta janë partnerët e natyrshëm të Putinit. Ai e di këtë. Dhe meqenëse votuesit e së djathtës radikale zakonisht mbështesin Putinin, ata nuk e humbin mbështetjen e tyre nëse Putini fillon një luftë. Kjo duhet monitoruar me kujdes”, shpjegoi ai.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, opozitari Khodorkovsky prezantoi tre konceptet e tij për një Rusi më të mirë pas rrëzimit të Vladimir Putinit nga pushteti dhe për këtë ka folur më gjerësisht në një intervistë për të përditshmen austriake Der Standard.

“Unë shoh tre mundësi: shpërbërjen e Rusisë, një car të ri e ‘të mirë’ ose një republikë parlamentare. Kjo e fundit ka 30 për qind shanse do të thoja, por po punoj për ta bërë të mundur. Varianti i parë, i cili mund të nxitej edhe nga një junta ushtarake, do të përfundonte keq”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore