Lajme

Opozita sërish bllokon foltoren, dëshirojnë përfundimin e seancës


Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë bllokuar sërish foltoren e Kuvendit të Kosovës, me pretekstin se seanca në fjalë nuk duhet të vazhdohet me asnjë pikë të rendit të ditës deri sa çështja e veteranëve të zgjidhet.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka këmbëngulur në mos vazhdimin e seancës pa konsultimin me veteranët, ani pse kryeministri Kurti premtoi që nesër do të takojë veteranët, së bashku me ministrin e Financave dhe kryetarin e komisionit për buxhet dhe financa.

“Sot seanca e Kuvendit të Kosovës nuk mund të vazhdohet me normalitet, nuk mundet me pas seancë, sepse kërkesat e tyre janë ndaj neve si deputetët e Kuvendit të Kosovës, asnjë grup parlamentar nuk e ka organizuar protestën nuk jemi në ballë të asaj proteste, mirëpo ata protestues kanë kërkesa ndaj neve dhe kërkesat nuk janë të ditës së sotshme, por ju nuk keni dashur të dëgjoni i keni injoruar me vazhdimësi. Sot seancë nuk do të ketë, ne nuk do të trajtojmë asnjë pikë pa i respektuar ata protestues”, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër Kryeministri Kurti, ka thënë se do t’i presë në takim veteranët për të dëgjuar kërkesat e tyre, pas protestave që po vazhdojnë para Kuvendit të Kosovës.

“Unë natyrisht që jam për dialog. Dhe jam për të diskutuar me organizatat e dala nga lufta, me veteranët dhe me këtë rast nuk është se dialogu nuk ka ekzistuar. Do t’i takoj veteranët e luftës dhe ky nuk është takimi i parë, i kam takuar edhe më herët, do t’i takoj sërish”, ka thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Ankesa e Kurtit në foltoren e Kuvendit përsëri ka qenë se nuk po pastrohen listat dhe se nuk janë 60 mijë veteranë, por më pak.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore