Lajme

Opozita serbe kërkon që Vuçiç të raportojë në Kuvend për sulmin terrorist


Opozita serbe

Një pjesë e opozitës serbe, e cila është duke i organizuar tash e disa muaj protestat “Serbia kundër dhunës”, ka kërkuar mbajtjen e një seance të Kuvendit të Serbisë, ku do të ftohet presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, për të raportuar në lidhje me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Përveç kësaj, ata kanë bërë të ditur se do të kërkojnë edhe krijimin e një Komisioni Parlamentar “që do të vërtetojë faktet për këtë ngjarje”.

“Pas 24 shtatorit u shfaqën rrethana të reja dhe ne si njerëz përgjegjës nuk mund t’i anashkalojmë dhe të sillemi si regjimi i Aleksandër Vuçiç-it, po përpiqet t’i mbulojë këto ngjarje me një perde tymi, por ne si njerëz përgjegjës duhet të reagojmë”, tha deputeti serb, Srdan Milivojeviç në një konferencë për shtyp, transmeton media opozitare serbe “Nova”.

Srdan Milivojeviç

Kërkesa e opozitës serbe është që menjëherë të mbahet seanca parlamentare me dy pika të rendit të ditës.

“E para është raporti i Presidentit të Republikës për situatën e sigurisë, me referencë të veçantë për ngjarjen e 24 shtatorit, dhe i dyti është formimi i Komisionit Hetimor për vërtetimin e fakteve për ngjarjet në Veri të Kosovës dhe sidomos për të hedhur dritë mbi rolin e Milan Radojiçiç-it në to”, theksoi Milivojeviç.

Në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, një polic mbeti i vrarë.

Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar drejtpërdrejtë Serbinë se ka qenë organizatore dhe financuese e këtij sulmi.

Nga ana tjetër Serbia, jo vetëm që nuk e dënoi sulmin terrorist, por shpalli ditë zie kombëtare për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, shteti serb dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar sulmin terrorist, teksa kanë kërkuar që urgjentisht Beogradi zyrtar të zvogëlojë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore