Kosova

Opozita lëshon sallën, 3 projektligjet e kritikuara nga BE-ja s’kthehen në Qeveri për rishqyrtim  


Partitë opoztiare – PDK, LDK dhe AAK – kanë lëshuar sallën në momentin që Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër që Projektligji për Zyrtarët Publik, ai për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të kthehen për ri-shqyrtim Qeverisë së Kosovës, apo Komisionit përkatës.

Fillimisht me 47 vota kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë refuzuar kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanajt, që Projektligji për Këshillin Prokurorial të kthehet në Komisionin e Venecias, ashtu siç ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian për shqyrtim.

Për një kërkesë të tillë pro votuan vetëm 27 deputetë, ndërsa katër abstenuan.

Kundër kanë qenë deputetët e partisë në pushtet.

Ndaj kërkesës së Selmanaj ka abstenuar edhe kryeparlamenari Glauk Konjufca, ndërsa është përkrahur vetëm nga partitë opozitare.

Gjithashtu 50 deputetë votuan kundër që projektligji për KPM-në të kthehet në Qeveri apo në Komisionin përkatës.

Për një gjë të tillë votuan pro vetëm 25 deputet, ndërsa 3 abstenuan.

Kundër propozimit të LDK-së votuan deputetët e LVV-së.

Ndërkohë 50 deputetë votuan kundër edhe për Projektligjin për Zyrtarët Publik t’i kthehet Qeverisë apo Komisioni përkatës.

25 deputetë ishin për kërkesës së LDK-së ndërsa 3 abstenuan.

Çfarë tha BE-ja?

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, të mërkurën, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës “nuk i ka marrë parasysh komentet” e Unionit për Projektligjin për Zyrtarët Publik, atë për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës – të cilët pritet të shqyrtohen në Kuvendin e Kosovës, duke shprehur shqetësimin e tyre për një gjë të tillë.

Sipas Zyrës së BE-së, komentet e bllokut kanë pasur për synim përmirësimin e këtyre projektligjeve dhe kalibrimin e tyre me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Zyra e BE-së në Kosovë, ka potencuar, ndër të tjera se këto projektligje “janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së”.

“Vlerësimi i përafrimit me standardet evropiane do të jetë gjithashtu vendimtar për vlerësimin e progresit nga Komisioni i BE-së në raportin e zgjerimit. Prandaj i bëjmë thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet e BE-së”.

BE-ja, Qeverisë: S’morët parasysh komentet tona për disa projektligje, jemi të shqetësuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore