Opinione / Editoriale

Lufta për ‘spotlight’, edhe në ditën e të gjithëve


Bordi Editorial i Albanian Post

E marta e 19 korrikut 2022 është e shënjuar në analet e historisë.

Shqipëria, i hapi bisedimet me Bashkimin Evropian pas tetë vitesh pritje nga marrja e statusit të vendit kandidat dhe mbajti Konferencën e parë Ndërqeveritare, si shënjuese të çeljes së kapitujve negociues me Unionin.

Kjo, padiskutim, është ditë e madhe për të gjithë popullin shqiptar.

Fundja, mbi 30 vjet demokraci, u deshën për të bërë një kalim jo të vogël për një shtet jo të madh.

Ndaj, merita dhe festa, u takon të gjithë shqiptarëve. Është dita e tyre…

Sigurisht që i takon edhe klasës politike të vendit, duam apo s’duam.

Momentumi politik i kohës, e deshi që kryeministër i vendit, të ishte Edi Rama. Në emër të popullit shqiptar, atij i takonte të mbante fjalimin historik, përballë ekipit të BE-së dhe gjithë kontinentit të vjetër e botës perëndimore.

Dy aktorë të tjerë të lartë politikë – së bashku me Ramën formojnë treshen më të vjetër të politikanëve në vend – gëzojnë ende pozita hierarkike në Shqipëri.

Sali Berisha, që thuajse të gjithë pozitat në majat piramidale shtetërore i ka kaluar (përveç kryetarit të Parlamentit).

Sot, ai vijon të jetë kreu i Partisë Demokratike pasë një epopeje të vërtetë nëntë-vjeçare të drejtimit të partisë në hije.

Nuk mundej Berisha të mos ishte protagonist i situatës, që herët në mëngjes.

Ditën e vlerësoi si të madhe për Shqipërinë. Mirëpo, akuzat për “armikun”, Edi Ramën, as që pati ndërmend t’i lërë, pavarësisht hisjes se e ka moderuar tonalitetin kundërshtues, sa prej nevojës, aq edhe prej pafuqisë moshore.

Pesë vjet, negociatat i pati bllokuar Rama sipas Berishës. I listoi ai edhe një sërë akuzash të tjera.

Ilir Meta ndërkohë (që të gjitha pozitat i ka gëzuar), e pa ngjarjen nga poltrona e ditëve të fundit presidenciale për të.

Nuk arriti dot sërish ta shmangë shpërfaqen e dëshirës për të qenë ai “bekimi” i shqiptarëve.

Ia njohu gëzimin ditës edhe Meta, por “përbashkues” siç i takon zyrës presidenciale, e donte prozhektorin për nga vetja dhe ndaj në konferencë shtypi, doli thuajse në çastet kur Rama po mbante konferencën për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi.

Nuk iu durua as Metës pa bërë lajm dhe vendosi të thoshte se tanimë që negociatat u hapën, duhet kujdes institucional dhe përgjegjësi e lartë publike e shtetërore.

Nuk u kursye as Rama, në konferencë për shtyp.

“Nuk e di kush është kush”, u ktheu ai përgjigje gazetarëve, duke justifikuar faktin se asnjë anëtar nga opozita shqiptare, nuk qe i pranishëm në mbledhje. Nuk u ftuan dhe ndoshta nuk dihej cila opozitë duhej ftuar.

Vendi nuk është i tëri socialist gjithsesi. Aq më pak i tëri demokrat. As tërësisht kundër politikës qytetarët nuk janë, sepse në protesta dalin veçse kur partia i thërret, kështu që përkatësinë anësore politike e dëshirojnë.

Thelbin e gjithë gjësë, Rama në fakt, e tha me një fjali të vetme: Kjo është hera e parë që zgjedhim dhe zgjedhje, e kemi vetëm Evropën (perëndimin).

Asgjë tjetër nuk ka rëndësi përveçse anësore në gjithë diskursin e sotëm.

Klasat politike ia arritën të shfaqnin ndasitë dhe t’ia transmetonin edhe ndërkombëtarëve këtë sërish.

Në një çast ndër më të rëndësishmit të historisë tërësore të vendin, kërkuan “spotlight-in”; dhe e morën.

Edhe në ditën e të gjithëve…


Lajmet kryesore