Sport

Operohet titullari i kombëtares së Shqipërisë, humb ndeshjet e qershorit


Një lajm i keq ka ardhur nga Italia për kombëtaren e Shqipërisë.

Bëhet fjalë për mbrojtësin kuqezi të Romës, Marash Kumbullën, i cili iu nënshtrua një operacioni dhe për këtë shkak duhet të qëndrojë për disa muaj jashtë fushave.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Romës, të cilët njoftuan se operacioni i Kumbullës ka shkuar me sukses.

“Operacioni i kryer nga Dr. Andrea Panzeri në Casa di Cura La Madonnina në Milano, në prani të menaxherit shëndetësor të AS Roma, Dr Massimo Manara, përfundoi me sukses”, thuhet në njoftimin e klubit të Romës.

“Kumbulla do të qëndrojë për disa ditë në klinikën milaneze dhe së shpejti do të fillojë ciklin e rehabilitimit në Qendrën Sportive Fulvio Bernardini”, shkruan klubi kryeqytetas.

Pra, Kumbulla do ta humbasë pjesën e mbetur të sezonit me klubin e tij në një moment shumë të rëndësishëm.

Por, ajo më shqetësuese, është se 23-vjeçari nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit të Shqipërisë, Sylvinho-s për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian që do të zhvillohen në muajin qershor.

Megjithatë, ndoshta më lehtësuese do të jetë që kuqezinjtë i kanë dy ndeshje të lehta në letër.

Fillimisht e presin Moldavinë në “Air Albania” me 17 qershor, pastaj tre ditë më vonë do të luajnë në udhëtim te Ishujt Faroe.

Kujtojmë që Kumbulla nuk ka qenë në elementin më të mirë në këtë sezon me Romën.

Qendërmbrojtësi ka luajtur vetëm 462 minuta në 12 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave arriti ta shënojë një gol në Ligën e Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore