Shqipëria

OECD: Shqipëria, e katërta në botë për rritjen e emigracionit të njerëzve të aftë


Në një raport të vitit 2020, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ka renditur Shqipërinë si të katërtën në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën nga 2000/2001 deri në 2015/2016.

Shqipëria renditet me 14.6 pikë përqindje (pp), pas Liberisë me 27.9 pp dhe Bhutan-it me 15.4 pp.

Vendi jonë është në të njëjtin nivel me Moldavinë dhe pasohet nga Rumania me 11.8 pp.

Fenomeni i emigracionit të njerëzve të aftë ka përfshirë Ballkanin gjatë kësaj periudhe.

Nga rajoni, Bosnja dhe Hercegovina renditet e gjashta me 11.5 pp.

Ajo pasohet nga Bullgaria me 10.3 pp dhe Maqedonia e Veriut me 10 pp.

Shqipëria renditet e teta në botë për normën e emigracionit të personave me aftësi të larta me 38.1%.

Vendi ynë ndiqet nga Bosnja me 34%.

Fenomeni i emigracionit prek vendet me të ardhura të ulëta dhe të gjitha shtresat e popullsisë.

Kryesisht, nivelet e emigracionit të personave me arsim të lartë janë relativisht më të larta se nivelet totale të emigracionit.

Kjo lidhet me faktin që individët me arsim të lartë kanë më shumë mundësi për t’u angazhuar në migracionin ndër-shtetëror se individët me kualifikim më të ulët.

Një tjetër faktor i rëndësishëm që ka ndikuar është miratimi i politikave më të favorshme të migrimit për personat me aftësi të larta nga shumë shtete të OECD-së .

Shkalla e përgjithshme e emigrimit e individëve me arsim të lartë drejt vendeve me mirëqenie të lartë është 16%.

Për të arsimuarit me arsim te mesëm, kjo shkallë është 5%.

Në lidhje me numrin e lartë të emigrantëve të arsimuar drejt zonës së OECD-së, India kryeson me mbi 3 milionë emigrantë me nivel të lartë të arsimit, e ndjekur nga Kina me 2 milionë emigrantë dhe Filipinet me 1 milionë e 800 mijë emigrantë./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore