Kosova

Oda e Afarizmit të Kosovës: Janë humbur 60 mijë vende të punës në pandemi


Oda e Afarizmit të Kosovës ka publikuar hulumtimin e realizuar në terren për ndikimin e pandemisë në sektorin privat, në të cilin thuhet se mijëra vende pune janë humbur në këtë periudhë dhe se gjendja e bizneseve është e rëndë.

“Nga të dhënat e mbledhura në terren, ka rezultuar se gjendja e bizneseve është jashtëzakonisht e vështirë. Sipas rezultateve të përgjithshme të grumbulluara rezulton se në përgjithësi bizneset kanë pësuar humbje gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë zëdhënësja për media nga OAK, Fjolla Smajli.

Ajo ka theksuar se rreth “60 mijë vende të punës janë humbur në pandemi”.

Tutje Smajli në një konferencë për media ka treguar se sektorët më të prekur nga pandemia janë, “gastronomia, prodhimtaria dhe ndërtimi, kurse sektorët që përfituan më së shumti në këtë kohë janë farmacitë dhe marketet ushqimore”.

Sipas hulumtimit, të anketuarit kanë deklaruar se numri i punëtorëve është reduktuar nga një deri në pesë, kurse rritja e të punësuarve ka rezultuar të jetë solide.

Në pyetjen drejtuar përfaqësuesve të bizneseve se si pandemia COVID-19 ndikoi në biznes, “27 për qind kanë deklaruar se ka ndikuar jashtëzakonisht keq, 23 për qind deklaruan se ka ndikuar shumë keq, 40 për qind deklaruan se ka ndikuar keq dhe vetëm tre për qind kanë deklaruar se pandemia ndikoi pozitivisht në biznes”.

Ndërsa sa i përket kohës se sa gjatë kanë qenë të mbyllura bizneset për shkak pandemisë, 59.9 për qind kanë thënë se biznesin e kanë pasur të mbyllur për një muaj, 3.6 për qind për gjashtë muaj, 1.6 për qind për më shumë se gjashtë muaj, kurse 8 për qind kanë thënë se nuk janë mbyllur asnjëherë për arsyen e vetme se aktivitetin e tyre e kanë zhvilluar nga shtëpia.

Smajli po ashtu, ka thënë se niveli i papunësisë ka shënuar rritje të madhe.

“Rreth 81.6 për qind kanë deklaruar se nuk e kanë rritur numrin e punëtorëve, kurse vetëm 0.4 për qind kanë deklaruar se kanë pasur rritje 20 deri në 30 punëtorë”, shtoi ajo.

OAK ka rekomanduar Qeverinë që punonjësit të cilët janë pushuar nga puna të mbështeten financiarisht.

Po ashtu është bërë thirrje që të mbështetet prodhimi dhe të krijohet arka “patriot”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore