Lajme

OBSH: Omicron ende nuk ka shkaktuar asnjë vdekje


Ilustrim i testit COVID-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se deri tani nuk është raportuar ndonjë vdekje që lidhet me variantin e ri të Coronavirusit, Omicron, variant ky që është detektuar në pothuajse 40 shtete të botës.

OBSH-ja ka thënë se më tre dhjetor ende duhet kohë për të kuptuar se sa infektues është ky variant, nëse shkakton sëmundje më të rënda dhe sa janë efektive trajtimet dhe vaksinat kundër Omicronit.

Edhe pse të dhënat e para sugjerojnë se varianti është jashtëzakonisht infektues.

Varianti Omicron, është identifikuar në nëntor në Afrikën e Jugut dhe mund të shkaktoj simpotoma më të buta sesa variantet paraprake, përfshirë variantin Delta që është dominues në mbarë botën.

Drejtori i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus

Megjithatë, një numër i personave që janë infektuar me variantin Omicron, kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Spitalet në disa shtete veçse janë të ngarkuara me pacientë të infektuar me variantin Delta.

Në Evropë, vala e re e shkaktuar nga Delta ka detyruar qeveritë që të rivendosin masat, siç janë mbajtja e detyrueshme e maskës, distanca sociale, izolime dhe përshpejtim të vaksinimit.

Agjencia për shëndetësi e Bashkimit Evropian ka paralajmëruar se Omicroni mund të jetë shkaktar i gjysmës së rasteve me COVID-19 në Evropë në muajt e ardhshëm.

Omicron më i rrezikshëm për foshnjat se variantet e tjera?

Një studim i kryer në Afrikën e Jugut ka thënë se Omicroni ka gjasa tri herë më shumë që të shkaktojë riinfektime krahasuar me variantin Delta.

Virusi COVID-19 në botë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka bërë të ditur se rritja ekonomike veçse ka marrë goditje për shkak të variantit Delta, problemeve me zinxhirët e furnizimeve dhe inflacioni.

“Edhe para shfaqjes së këtij varianti të ri, ne kemi qenë të shqetësuar për rimëkëmbjen, edhe pse po vazhdon (rimëkëmbja), ajo disi po e humb vrullin”, tha drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva.

Ajo shtoi se Omicron mund të uol parashikimet e FMN-së për muajin tetor sa i përket rritjes globale.

“Varianti i ri që mund të përhapet shumë shpejt mund të dëmtojë besimin, dhe në këtë kuptim, ne ka të ngjarë që do të shohim ulje të parashikimeve tona për tetorin, sa i përket rritjes globale”, tha ajo në një konferencë.

FMN-ja tha në nëntor se pret që ekonomia botërore të rritet me 5.9 për qind këtë vit dhe 4.9 për qind vitin e ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore