Kosova

Nuredin Lushtaku dorëzohet në polici


Nuredin Lushtaku është dorëzuar në organet e rendit.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.

Dorëzimi i Lushtakut ka ardhur pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit Faton Lushtaku dhe Arif Lushtaku për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Tutje nga Prokuroria janë sqaruar edhe dyshimet e deritashme.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërsa, është thënë se do të paraqitet edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale”.

Ndryshe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se deri më tani janë intervistuar katër të dyshuar dhe se deri te incidenti kishte ardhur për shkak të shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.

Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore