Lajme

Nuk votohet raporti vjetor i RTK-së, kërkohet shkarkimi i bordit


Kuvendi i Kosovës

Me 62 vota kundër, zero për dhe zero abstenime, Raporti Vjetor për Radio Televizionin e Kosovës për vitin 2020 nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Daorsa Kica Xhelili, ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit arsyet dhe rekomandimet e komisionit, se përse nuk duhet të votohet raporti dhe për më tepër të shkarkohet bordi i RTK-së.

“Anëtarët e bordit drejtues në vazhdimësi kanë dështuar të sigurojnë qasje të pa penguar dhe pa kontestuar zyrës së auditorit të përgjithshëm në auditimin e rregullsisë dhe përformancës”, ka thënë Xhelili.

Deputeti i VV-së Armend Muja ka thënë se njëra ndër arsyet është refuzimi i RTK-së për t’u audituar nga Zyra Kombëtare a Auditimit (ZKA).

“Sa i përket auditimit çdo institucion në Kosovë përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese nuk e refuzon auditimin. Refuzimi nga RTK-ja është bërë për arsye të ndryshme por këto nuk qëndrojnë. Një problem aktual është mungesa e formulës së financimit ky lloj i financimit ka skaduar në 2015, në bazë të ligjit bordi i RTK ka qenë i obliguar t’i propozoj Kuvendit forma të financimi”, tha Muja.

Sipas Mujes ky model i financimit nuk është adekuat.

“Koha është që RTK të mos i shërbej vetvetes por publikut. 3 milionë deri në 4.5 milionë janë borxhet, i kanë tejkaluar shpenzimet, janë arsyetuar se është hapur RTK-ja më gjuhën serbe”

Ndërsa, Bedri Hamza nga Grupi Parlamentar i PDK-së, gjatë diskutimit për shkarkimin e Bordit të RTK-së, potencoi se po ndryshohet puna e komisioneve të Kuvendit.

“Është totalisht e padrejtë dhe e papranueshme me thanë që një institucion sikurse RTK nuk ka pasur auditim. Këtë e demanton edhe deklarata e bordit të RTK në prill të vitit 2021. Nuk jam këtu në emër të PDK t’i mbroj shkeljet ligjore të kujtdo qoftë. Mirëpo kjo nuk është kapje e shtetit kjo është plasje e shtetit”, ka thënë Hamza.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, kritikoi Qeverinë Kurti, duke thënë se po bëjnë sulme ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë si pushteti.

“Sulm ndaj fjalës të lirë, edhe të atyre që nuk kanë mendim të njëjtë si të Qeverisë. Po sulmohen ekspertet, shërbyesit civilë, secili që nuk mendon si ata. Dënimi kolektiv, iu takon regjimeve autoritare që kanë probleme me  fjalën e lirë. RTK ka pasur nevojë për auditim dhe të kërkohet llogari nga individët, por jo kolektive”, është shprehur Veliu.

Ai ju drejtua ekzekutivit duke i thënë: “Shkarkoni me një vendim të gjitha Bordet, mirëpo le të mendojnë edhe ata që janë duke i bërë këto veprime se mund të përballen me ligjin. Është keqpërdorim i detyrës zyrtare kur ki tejkalim të kompetencave”.

Po ashtu, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri deklaroi se vendimi për shkarkimin e Bordit të RTK-së, është puro politik.

“Raporti nuk e ka pasqyruar atë që unë e di se çfarë bënë RTK. Ky shkarkim është puro politik, është i njëanshëm nuk ka të bëjë asgjë me vlerësimin e një organi siç është Bordi, ka të bëjë me një vendim që të vendoset një Bord tjetër i cili i shërben qeverisë dhe jo publikut”, tha Tahiri.

Kuvendi i Kosovës të mërkurën nuk ka pasur kuorum për votimin e raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020.

Në seancën e të enjtes kanë qenë të pranishëm vetëm 67 deputetë.

Raporti Vjetor për RTK-në që nuk u votua sot është i përcaktuar me ligj, pasi veprimtaria e RTK-së duhet të jetë publike. Raporti Vjetor duhet të publikohet në mënyrën e përcaktuar me Statut dhe pas hartimit i dërgohet Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore