Shqipëria

Normalizohet situata pas reshjeve, vijon puna në Tropojë


Situata në Shqipëri është e qetë pas reshjeve të 17 shtatorit, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme.

Referuar informacioneve nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, në bashkinë Tropojë ku pati dëme, gjendja është normalizuar.

Ndërkohë, vazhdon puna në terren nga grupet e punës për eliminimin e pasojave.

“Në mbështetje të forcave në terren po punojnë mjete dhe forca e batalionit të Xhenios dhe Batalionit të Mbështetjes së Emergjencave Civile. Ndërsa bashkia ka ngritur grupet e vlerësimit të dëmeve”, sqaron ministria.

Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht (Curri-Valbonë, Ura e Bujanit-Qafë Morinë, Sopot-Kerrnaj, Qafë Mejdan-Tropojë-Buçaj, B.Curri-Cërrnicë dhe B.Curri –Fierzë).

Rruga Lekbibaj-Fierzë është e bllokuar nga rrëshqitjet e gurëve, po punohet me mjetet e bashkisë për zhbllokimin e segmentit rrugor Lekbibaj-Sheshi i trageteve Fierzë.

Po punohet nga grupet e punës së OSHEE-së për riparimin e defektit në nënstacionin elektrik në Gropë Fierzë dhe rikthimin e energjisë në njësinë administrative Fierzë dhe fshatin Valbonë.

Në fshatin Degë njësia administrative Fierzë është dërguar një fadromë në mbështetje të komunitetit.

“Në qarqet e tjera të vendit situata është e qetë dhe nuk janë vërejtur problematika”, përmbyllin njoftimin autoritetet.

Kryebashkiaku i Tropojës, Rexh Byberi vëren se falë komunikimit të vazhdueshëm institucional, një flotë e makinerive dhe pajisjeve të specializuara të Ministrise së Mbrojtjes mbërritën në Tropojë.

Mes tyre përfshihen fadroma, kamione, makineri vetëshkarkuese dhe pompa thithëse të ujit.

Ato, shkruan Byberi, kanë nisur punën në çdo njësi ku dëmtimet dhe rreziqet janë më evidente.

Moti pritet të alternohet dhe përmirësohet në ditët në vijim dhe dëmet mbeten deri në këto momente vetëm materiale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore