Lajme

Njohja e pasaportave ilegale serbe – Hartwell: Afirmim i juridiksionit të Serbisë mbi Kosovën


Ilustrim: Pasaporta ilegale

Me 34 vota pro, shtatë kundër dhe 12 abstenime Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme, të martën, miratoi raportin për heqjen e regjimit të vizave edhe për poseduesit e pasaportave ilegale në Kosovë të cilat lëshohen nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Pas këtij miratimi, raporti i është proceduar Parlamentit Evropian për miratim në seancën plenare që do të zhvillohet në mes të 22 dhe 25 prillit në Strasburg të Francës.

Kjo seancë plenare do të jetë edhe e fundit në këtë përbërje të Parlamentit Evropian, pasi nga data 6 deri më 9 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian në 27 vendet anëtare të BE-së.

Deputeti slloven, Matjazh Nemec, i cili përpiloi këtë raport, tha se qëllimi është që procedura për poseduesit e pasaportave ilegale serbe në Kosovë të kryhet gjatë këtij mandati të Parlamentit Evropian, në mënyrë që Këshilli Evropian ta formalizojë vendimin dhe ai të hyjë në fuqi.

Hulumtuesi i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) me seli në Uashington D.C. të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leon Hartwell, në një prononcim për Albanian Post tha se ky vendim është dëshmi që Unioni po shtyjnë përpara, me dashje, agjendën e atyre që po avokojnë ballkanizimin (term pezhorativ që ilustron procesin e fragmentimit të një zone, vendi ose rajoni nëpër njësi shumë më të vogla dhe armiqësore me njëri-tjetrin) e mëtejshëm të rajonit.

Ky trend, vlerëson bashkëpunëtor i lartë në Think Tank-un IDEAS me bazë në Universitetin prestigjioz London School of Economics (LSE), është në përputhje me vendimet e tjera të BE-së kundrejt Kosovës, sikurse presioni ndaj Kosovës që të miratojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa marrë asgjë në këmbim.

“Njohja që po i bënë BE-ja dokumenteve të lëshuara nga qeveria serbe për qytetarët serbë të Kosovës sugjeron një njohje de facto të juridiksionit të Serbisë mbi Kosovën. Kjo është dëshpëruese, veçanërisht kur 22 nga 27 anëtarët e BE-së e njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Hartwell për Albanian Post.

Propozimi në fjalë, ka vlerësuar Hartwell, pengon gjithashtu edhe kapacitetin e Kosovës për të promovuar integrimin e serbëve të Kosovës dhe dobëson autoritetin e saj të përgjithshëm.

“BE-ja me këtë propozim po kufizon autoritetin e qeverisë së Kosovës për të nxjerrë dokumentacionin e vet, i cili përmban simbole kombëtare”, pohon ai.

Leon Hartwell

Kundër këtij vendimi doli edhe Qeveria e Kosovës.

Këshilltari për Media e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimit, Klisman Kadiu, ndërsa shprehu keqardhje për vendimin në fjalë tha se i njëjti rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm.

“Shtyrja para e këtij propozimi, ka impakt negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por edhe në procesin e dialogut. Që prej momentit kur është inicuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”.

Kur Serbisë BE-ja ia liberalizoi vizat, Unioni nuk pranoi që pa viza të udhëtonin edhe serbët e Kosovës që refuzonin pasaportën e Kosovës dhe merrnin pasaporta të Serbisë.

Serbia i lëshon këto pasaporta për qytetarët e komunitetit serbë në Kosovë me emra të qyteteve të Kosovës të cilat i prezanton si qytetet të Serbisë. Njëjtë si me targat ilegale.

Për këtë arsye BE-ja vendosi që të mos i liberalizoi vizat për këto pasaporta të cilat në Kosovë konsiderohen ilegale.

Por, pas liberalizimit të vizave për kosovarët, Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar propozoi për t’ua hequr vizat edhe bartësve të këtyre pasaportave ilegale, duke argumentuar se me një vendim të tillë, të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin në procesin e liberalizimit të vizave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore