Lajme

Njerëzit që nuk e duan punën nga shtëpia


Kur Lindsay Compton ngriti biznesin e saj të konsulencës në vitin 2019, puna nga shtëpia dukej si alternativa më e mirë.

Si nënë e dy fëmijëve të vegjël, asaj i duhej diçka fleksibël.

“Dukej si një model mjaft i mirë për të qenë në gjendje të ofronte njohuri vërtet të specializuara dhe për të mos pasur shpenzime shumë të larta”, ka thënë Compton.

Por tre vjet më vonë – pasi ngriti një ekip prej 11 punonjësish në distancë në Canny Comms, të përhapur nga Arabia Saudite në Chester –pranon se është “e dëshpëruar” të kthehet në një zyrë.

“Të keni një hapësirë ​​zyre, ku ka dritë natyrale dhe një mjedis të mirë thjesht mund t’ju bëjë të ndiheni të frymëzuar dhe mendoj se ju mundëson të jeni pak më të guximshëm”, ka dalluar ajo.

Siç ka shumë njerëz që kërkojnë të marrin një rol pune në distancë, ka edhe shumë të tjerë që janë po aq të etur për t’u rikthyer në zyrë.

Sipas një studimi të vitit 2022 nga PwC, 11 për qind e punonjësve amerikanë do të preferonin të punonin me kohë të plotë në zyrë dhe 62 për qind do të donin të kalonin të paktën pak kohë atje.

Më shumë se gjysma e menaxherëve janë gjithashtu të sigurt se punonjësit e tyre do të ishin të prirur të ktheheshin në zyrë me kohë të plotë.

Motivimet e njerëzve mund të ndryshojnë.

Kështu, kompanitë do të duhet t’i përshtatin nevojat e njerëzve që duan të jenë në zyra, si dhe atyre që nuk duan të jenë në zyra, pasi ata hartojnë modelet e tyre të punës pas pandemisë.

Teksa shumë njerëz e duan fleksibilitetin që sjell puna në distancë, për të tjerët humbja e një mjedisi zyre dhe kontakti shoqëror që ofron mund të jetë një goditje e madhe.

“Kurrë nuk do të aplikoja për një rol në shtëpi ose punë në distancë”, ka thënë menaxherja Abi Smith.

Sipas një studimi të majit 2021 nga Shoqata Amerikane e Psikiatrisë, gati dy të tretat e njerëzve që kalojnë të paktën disa kohë duke punuar nga shtëpia thonë se janë ndjerë të izoluar ose të vetmuar herë pas here.

Për 17 për qind, kjo është një ndjenjë e vazhdueshme.

Studimet kanë treguar po ashtu se gjatë bllokimit, njerëzit që jetonin me anëtarët e familjes ose një partner kanë përjetuar  shumë më pak probleme me shëndetin e tyre mendor.

Megjithatë, nuk është vetëm mirëqenia dhe kontakti social që disa punonjës kanë frikë se janë në rrezik nëse kalojnë gjithë ditën në shtëpi.

Janë edhe perspektivat e tyre për karrierë.

Vetëm 40 për qind e punonjësve në Mbretërinë e Bashkuar të anketuar nga specialistët e punësimit dhe burimeve njerëzore WorkNest janë të sigurt se stafi me bazë në zyrë dhe në shtëpi do të shpërblehet në mënyrë të barabartë në 12 muajt e ardhshëm.

Michal Laszuk, një 27-vjeçar në Varshavë, Poloni, e lidh të qenit në zyrë me ofrimin e një cilësie më të mirë pune.

Laszuk ka kaluar shumë kohë duke punuar në shtëpi gjatë pandemisë në rolin e tij të mëparshëm, por kur filloi punën e tij të re si menaxher i komunitetit për shërbimin e pasaportave dhe vizave PhotoAid, atij iu lejua të zgjidhte se si të punonte.

Ai menjëherë zgjodhi zyrën.

“Era e bojës së printerit, prekja e tastierës, muhabeti i qetë në dhomën e relaksit, e gjithë kjo ndihmon vërtet. Është atmosfera e vendit që të vendos në humor të punës dhe të rrit produktivitetin”, ka veçuar ai.

Po ashtu puna në zyrë ofron një pikë fillimi dhe mbarimi të ditës së punës, “kufij të dobishëm” pasi gjithnjë e më shumë punonjës në shtëpi raportojnë vështirësi për të përballuar jetën personale dhe profesionale.

A mund të gjejnë kompanitë një ekuilibër?

Tani që njerëzit kanë pikëpamje shumë të ndryshme se si dhe ku do të dëshironin të punonin në vazhdën e pandemisë, firmat po përballen me sfida teksa përballen me politika të reja.

Nuk ka dyshim se pandemia përshpejtoi një zhvendosje drejt punës në distancë në disa industri.

Victoria McLean, themeluese e City CV, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ka treguar se bizneset po kalojnë në rrethana të ndërlikuara në të cilat mund të jetë pothuajse e pamundur të mbash të gjithë të lumtur.

“Shumë biznese me të cilat flas ofrojnë punë hibride, por kanë një ditë në javë kur të gjithë duhet të jenë në zyrë”, ka zbuluar ajo.

Për ata që kanë ngecur në punë në shtëpi dhe e urrejnë atë, McLean rekomandon që të bëjnë pushime të rregullta nga kompjuteri.

Dhe se duhet vendosur një kufi mes punës dhe jetës personale.

Sakaq, Compton shpreson se ajo dhe familja e saj do të jenë në gjendje ta bëjnë shtëpinë e tyre në Larkhill, në veri të Salisbury, një bazë më të përhershme pas vitesh lëvizjeje.

Ajo është gjithashtu në kërkim të një zyre aty pranë. Kërkesat e një familjeje të re nënkuptojnë se ajo nuk do ta lërë plotësisht dhomën e lirë, por që dëshiron të krijojë një zyrë ku ajo dhe stafi mund të bashkëpunojnë në mënyrë krijuese për disa ditë në javë kur të munden.

Teksa biznesi rritet, ajo dëshiron të rekrutojë punonjës që janë në fillim të karrierës së tyre dhe dëshiron të jetë në gjendje t’u ofrojë atyre një vend për të shijuar të gjitha përfitimet që sjell zyra.

“Mendoj për të gjitha mundësitë që lindën nga të qenit në një mjedis ku gjithçka ndodhte”, ka treguar ajo.

Për të, puna në distancë jep një perspektivë të kufizuar dhe se “shoqëria ka një sfidë të madhe nëse të gjithë punojmë në dhomat e gjumit”.

“Ka një rrezik real”, ka përmbyllur ajo.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore