Lajme

Një qytetari në veri i vendoset mbishkrimi “UÇK” në veturë, nisin hetimet


Mitrovica e Veriut.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një qytetari në veri të Mitrovicës i është dëmtuar vetura e tij duke lënë mbishkrim mbi të “UÇK”, të dielën e 16 prillit.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“Ankuesi kosovar ka informuar se nga persona të pa njohur i është dëmtuar vetura e tij, dhe i kishin lënë në veturë një mbishkrim ‘UÇK’, sipas ankuesit edhe një mbishkrim të njëjti i kishin vendosur në hyrje të ndërtesës së tij”, thuhet në njoftim.

Teksa, rasti është iniciuar si “nxitje e përçarjes dhe mos durimit” që ka ndodhur në veri të Mitrovicës”.

Ndërsa kanë filluar hetimet nga organet kompetente.

Ndryshe, vetëm gjatë muajit prill dhe mars, në veri ishin djegur disa vetura për shkak të konvertimit të targave në ‘RKS’.

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi, kishte bërë të ditur se me 1 prill pas mesnate në Veri, në dy raste të ndara, ishin djegur edhe tri vetura të tjerë të serbëve, dy me targa RKS dhe një me targa të Beogradit.

Rasti i parë sipas Policisë së Kosovës kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Komunën e Leposaviqit, gjegjësisht afër kopshtit të fëmijëve.

Ilustrim.

“Një veture me targa RKS i është vënë zjarri, po ashtu nga zjarri është përfshirë edhe një veturë tjetër me targa të Beogradit që ishte afër veturës me targa RKS. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin”, thuhej në njoftim.

Ndërsa rasti tjetër kishte ndodhur po ashtu në Leposaviq, afër qendrës së sporteve, ku një veturë me targa RKS ishte djegur nga persona të dyshuar.

“Në të dy rastet, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin”.

Gjithashtu, Policia e Kosovës, kishte bërë të ditur se më 31 mars pas mesnate në Veri të vendit janë djegur tri vetura me targa RKS, pas dy veturave të djegura më 30 mars në mesnatë, po ashtu me targa RKS, të cilat u përkasin qytetarëve me nacionalitet serb.

Me rastin e fundit numri i veturave të djegura në Veri brenda një periudhe 2 javore ka shkuar në 11.

Djegia e veturave të serbëve, të cilët kishin vendosur t’i konvertonin targat e makinave të tyre nga ato ilegale “KM” në legale “RKS” kishte shkaktuar reagime të shumta si nga kori diplomatik ashtu edhe nga zyrtarë institucional e liderë opozitarë.

Për këto raste është arrestuar një person dhe masa e paraburgimit ndaj tij është caktuar një muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore