Lajme

Një qytetare thotë se personi që ia goditi për vdekje babain s’e mbajti “as 1 orë burg” për shkak të lidhjeve politike


Ilustrim

Sihana Bejtullahu, qytetare e Kosovës, nëpërmjet një reagimi në “Facebook” të mërkurën, pretendoi se djali i një “personi të fuqishëm” sikurse në aspektin financiar, ashtu edhe në aspketin politik, nuk e mbajti “as një orë burg” për aksidentin që e shkaktoi në një nga rrugët e kryeqytetit vitin e kaluar e që rezultoi me pasoja fatale për babanë e saj 63-vjeçar.

“Rastisi edhe që vozitësi të jetë i biri i një personi shumë të pasur dhe të fuqishëm, jo vetëm në rrafshin ekonomik, por edhe politik. Rrjedhimisht, ky njeri, pavarësisht së kaluarës me disa vepra penale me fatalitet në komunikacion (që besoj mediat mund të marrin informata të sakta), nuk e mbajti as një orë burg”, shkroi Bejtullahu të mërkurën pasdite.

Shoferi i automjetit “Porsche 911” që shkaktoi aksidentin fatal dhe nuk vuajti asnjë ditë burg mësohet se është Vullnet Gashi, djali i biznesmenit kosovar, Burim Gashi, i cili njihet për lidhjet e tij me politikanë të fuqishëm në Kosovë. Në raportin e Policisë së Kosovës për aksidentin, u tha se nga pakujdesia i dyshuari goditi këmbësorin dhe pas intervistimit është liruar.

Bejtullahu akuzoi ndër të tjera autoritetet e drejtësisë për “mosveprim të drejtë” dhe “manipulim të provave” sa i përket rastit në fjalë, ndërsa shtoi se nuk do të reagonte nëse institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, do ta kishin kryer punën e tyre në mënyrë adekuate apo nëse do t’i kishin adresuar në kohë shqetësimet e familjarëve.

Ferhat Bejtullahu, profesor univeristar dhe ligjerues i lëndës së arkitekturës në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), mbeti viktimë e aksidentit të datës 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Klinton” në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Familja Bejtullahu kërkon drejtësi, duke thënë se shkaktari i aksidentit, fëmijë i një biznesmeni të njohur, vazhdon të jetë i lirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore