Kosova

Një grua dyshohet për abort të paligjshëm, arrestohen dy persona


Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK)

Një grua nga Podujeva dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në formë të paligjshme.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku raportohet se ajo ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), rasti ka ndodhur të dielën.

“Raportohet se në QKUK ka kërkuar tretman mjekësor e dyshuara femër kosovare e cila dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme”, kanë thënë nga PK-ja.

Për këtë rast, njoftohet se janë arrestuar dy persona.

“Janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit të dyshuarat janë dërguar në mbajtje.

Tutje në raport, njoftohet se në Zveçan, të dielën, persona të panjohur dyshohet se kanë kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, pasi që nëpër mure të ndërtesave kanë vendosur pamflete me mbishkrime.

“Pamfletet janë tërhequr nga vendet ku janë vendosur si provë materiale”, theksohet nga PK-ja.

Rasti është duke u hetuar.

Ndërkaq, brenda 24 orëve shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar që kanë ndodhur në Kosovë.

Një nga këto rastet ka ndodhur, më 23 qershor në Obiliq, por është raportuar të dielën.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është strehuar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Rasti tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Hajvali dhe është raportuar, po ashtu të dielën, ku një person është arrestuar.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht”, theksohet në këtë raport.

Viktima potencohet se nuk ka pranuar tretman mjekësor.

Ndërsa, i dyshuari është arrestuar pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Lipjan, të dielën, njoftohet se është arrestuar një person pasi dyshohet se ka sulmuar një person.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, kanë shtuar nga PK-ja.

Viktima tregohet se ka pranuar ndihmë mjekësore.

Po ashtu, edhe në Suharekë, dy persona janë arrestuar për dhunë në familje, pas një konflikti ku kanë kërcënuar dhe sulmuar njëri-tjetrin.

“Në konsultim me prokurorin është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarve ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe një fishek. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Rasti tjetër ka ndodhur në Dragash, më 29 qershor.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, potencohet tutje.

Edhe në Prizren të dielën është raportuar se dyshohet për një rast në familje.

“Dy të dyshuarat femra kosovare kanë ushtruar dhunë në familje ndaj viktimës mashkull kosovar. Palët e përfshira në rast janë intervistuar”, njoftohet më tej.

Me vendim të prokurorit rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Ngjarja tjetër lidhur me dhunën në familje është raportuar në Gjakovë.

“Është raportuar se dy të dyshuar një femër kosovare dhe një mashkull kosovar në gjendje të dehur, janë përleshur në mes vete. E dyshuara është arrestuar dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur”, shtuan nga Policia.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore