Lajme

‘Një George Floyd çdo 23 minuta’: Protesta për vrasjen brutale të refugjatit në plazhin e Rios


Demonstruesit protestojnë buzë plazhit, ku refugjati kongolez Moise Kabagambe u vra.

Mijëra demonstrues pritet të dalin në rrugët e Brazilit të shtunën, për të protestuar kundër vrasjes së një refugjati të ri kongolez.

Moise Mugenyi Kabagambe kishte humbur jetën pasi u sulmua nga një grup burrash në një nga plazhet më të njohura të Rios, Barra da Tijuca.

Përmes videove të regjistruara nga njerëzit është bërë e ditur vrasja e tij, e cila ka shkaktuar një zemërim të madh mbi racizmin strukturor të rrënjosur në dhunën e urrejtjes, raporton The Guardian.

Të afërmit e 24 vjecarit, thonë se Kabagambe kishte shkuar atje për të kërkuar 200 reai (28 £) në paga të papaguara nga lokali buzë detit ku ai kishte punuar jo-formalisht si kamerier.

Kabagambe pësoi lëndime vdekjeprurëse në gjoks, u rrëzua në tokë dhe u godit dhjetëra herë me grushta dhe copa druri. Duart dhe këmbët e tij thuhet se i ishin lidhur pasi ai u rrëzua pa ndjenja.

Një gazetë lokale botoi imazhe të sulmit të egër të 24 janarit – që ndodhi vetëm disa metra larg disa prej hoteleve dhe apartamenteve më ekskluzive në plazh të Rios – në faqen e saj të parë me titullin: “Frikacak. Egërsi. Barbari”.

“Kushëriri im nuk ka lënduar kurrë askënd, ai ishte gjithmonë i buzëqeshur. Është e neveritshme. Është një makth”, tha kushëriri i tij, Chadrac Kembilu Nkusu, një refugjat që po mendon të arratiset në Kanada për shkak të sulmit.

“Brazili është një nënë, një vend që përqafon të gjithë. Nuk mund ta kuptoj se si kjo nënë mund të kishte vrarë një djalë aq të mirë sa Moise”, shtoi Nkusu.

Demonstruesit protestojnë buzë plazhit, ku refugjati kongolez Moise Kabagambe u vra.

Deri më tani tre burra janë arrestuar për një krim që ka shkaktuar një valë neverie nga aktivistët, politikanët dhe të famshmit.

“Brazili është një vend i rrezikshëm për ne zezakët. Kujdes!” postoi në Twitter Preto Zeze, një aktivist i shquar me ngjyrë.

Gilmar Mendes, një gjykatës i Gjykatës së Lartë, tha se “skenat e mjerueshme të urrejtjes dhe barbarisë” ekspozuan rreziqet e intolerancës, racizmit dhe ksenofobisë.

Të shtunën në mëngjes aktivistët e të drejtave civile dhe qytetarët do të mblidhen në vendin e krimit, ndërsa demonstrata janë planifikuar gjithashtu në qytete duke përfshirë Sao Paulo, Recife, Belo Horizonte dhe Porto Alegre.

Douglas Belchior, një drejtues nga rrjeti Coalizao Negra Por Direitos, i cili po ndihmon në organizimin e protestave, tha se: “Vrasja barbare e njerëzve me ngjyrë është turpësisht e zakonshme në Brazil…Këtu kemi një George Floyd çdo 23 minuta. Ne kemi një Moise çdo 23 minuta. Ne jemi duke u vrarë vazhdimisht”.

Duke fshirë lotët nga sytë, Belchior hodhi poshtë idenë se vendi i tij ofronte një strehë të sigurt për refugjatët me ngjyrë.

“Imazhi që ne shesim për Brazilin është një gënjeshtër. Nuk është e vërtetë që ne jemi një nënë që ofrojmë strehim. Brazili është një vend i luftës racore. Ajo që po ndodh këtu është një luftë – zezakët vdesin çdo ditë. Është një gjendje terrori – dhe ne duhet ta ekspozojmë këtë”.

Presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili zotëron një shtëpi disa minuta më këmbë nga skena e vrasjes, ka qëndruar i heshtur për vrasjen e Kabagambe.

Por ish-presidenti i majtë, Luiz Inacio Lula da Silva, dënoi “vrasjen frikacake”. “Kjo nuk është normale. Kjo nuk është njerëzore. Është rezultat i një vendi që qeveriset nga një fashist”, tha Lula, duke fajësuar administratën radikale të Bolsonaros për klimën e dhunës.

Aktivistët besojnë se rrënjët e vrasjes së Kabagambe janë shumë më të thella, duke e përshkruar vrasjen si pjesë të trashëgimisë malinje të skllavërisë në një vend që mori afro 5 milionë njerëz të skllevëruar nga Afrika.

Belchior tha: “Brazili është një vend i ndërtuar mbi skllavërinë. Është vendi që e duroi skllavërinë për një kohë më të gjatë, ishte i fundit në Amerikë që e shfuqizoi atë – dhe mënyra se si shoqëria braziliane u organizua pas skllavërisë ishte krijuar për të përjetësuar dinamikën sociale me të cilën njerëzit me ngjyrë i nënshtroheshin mënyrës së të menduarit të pronarëve të skllevërve”.

Ndërkaq Wesley Teixeira, një aktivist dhe edukator me bazë në Rio, i cili do të marrë pjesë në protestën e së shtunës, tha se vrasja ekspozoi “plagën e hapur të skllavërisë”.

Teixeira shprehu hutim se askush nuk kishte ndërhyrë për të ndaluar sulmin: “Shoqëria braziliane sheh një trup të zi të shtrirë në dysheme, të vdekur dhe vazhdon të pijë… sikur të ishte gjithçka krejtësisht normale”.

Belchior tha se e gjithë shoqëria braziliane – dhe jo vetëm njerëzit dhe lëvizjet me ngjyrë – duhej të mobilizohej nëse vrasje të tilla do të ndaleshin.

“Nuk do të kishte hapësirë ​​në lajme për ndonjë temë tjetër nëse ky do të ishte një person i bardhë nga Evropa apo Shtetet e Bashkuara. Por ishte një person afrikan nga Kongoja”, tha ai.

“Kjo është e pështirë dhe është e patolerueshme. Ndjej zemërim të madh, por edhe trishtim – sepse nuk ka asgjë që sugjeron se e njëjta gjë nuk do të përsëritet shumë shpejt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore