Lajme

Një fermer në Gaza zbuloi një mozaik të epokës bizantine


Në Gaza është zbuluar rastësisht një mozaik i zbukuruar bizantin në dysheme që tregon një shumëllojshmëri zogjsh shumëngjyrësh dhe kafshë të tjera.

Zbulimi ndodhi pasi një fermer palestinez u përpoq të mbillte pemë të reja në tokën e tij.

Salman al-Nabahin e zbuloi reliken gjashtë muaj më parë teksa punonte në kopshtin e tij të ullirit në kampin e refugjatëve Bureij, rreth një kilometër nga kufiri me Izraelin.

Duke u përpjekur të kuptojë pse disa pemë nuk kishin zënë rrënjë siç duhet, Nabahin dhe djali i tij filluan të gërmojnë. Pastaj sëpata e djalit goditi diçka të fortë dhe të panjohur në pamje.

“Kërkoja në internet… Mësuam se ishte mozaik i epokës bizantine”, ka treguar babai i shtatë fëmijëve.

“E shoh atë si një thesar, më të shtrenjtë se një thesar. Nuk është personal, i përket çdo palestinezi”, ka shtuar ai.

Ministria palestineze e Turizmit dhe Antikiteteve ka thënë se dyshemeja përfshinte disa panele mozaiku që përshkruanin kafshë dhe tipare të tjera të jetës shoqërore gjatë epokës bizantine.

“Zbulimi arkeologjik është ende në fazat e tij të hershme dhe ne presim të dimë më shumë për sekretet dhe vlerat e qytetërimit”, ka vijuar ministria në një deklaratë.

Dhe se ekipet kombëtare të kërkimit po punojnë në partneritet me ekspertë ndërkombëtarë dhe shkencëtarë nga Shkolla Franceze e Arkeologjisë.

Gaza është e pasur me antika, duke qenë një pikë e rëndësishme tregtare për qytetërimet që datojnë që nga egjiptianët e lashtë dhe filistinët e përshkruar në Bibël, deri në Perandorinë Romake dhe kryqëzatat.

Vitet e fundit janë bërë disa zbulime.

Por për shkak të mungesës së fondeve dhe profesionistëve përkatës, Gaza zakonisht ka ftuar grupe ndërkombëtare për të ndihmuar në procesin e gërmimit dhe ruajtjes.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore