Shqipëria

Nis zyrtarisht “Censi 2023”, 50 mijë lekë gjobë për ata që nuk përgjigjen ose gënjejnë


Këtë të hënë të 18 shtatorit do të nisë zyrtarisht procesi i numërimit të popullsisë dhe i banesave në Republikën e Shqipërisë.

Nga Instituti i Statistikave është bërë me dije se do të jenë mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar, të cilët do të angazhohen për numërimin që do të mblidhet në 6 javë.

I gjithë procesi i Censit do të kryhet në mënyrë digjitale përmes një tableti.

Pyetësori përmban rreth 100 kategori pyetjesh për banesën, familjen, vendbanimin, punësimin apo bujqësinë dhe qytetarët kanë detyrimin që të përgjigjen.

Vetëm tre prej pyetjeve që lidhen me besimin, etninë dhe fenë do të jenë opsionionale për t’u përgjigjur.

Në rast se qytetarët refuzojnë të përgjigjen apo do të japin përgjigje të rreme ka penalitete.

Kështu rastet e mësipërme mund të penalizohen më 50 mijë lekë gjobë.

INSTAT llogarit se kostoja është 16.9 milionë euro.

Lidhur me suksesin e këtij procesi në raport nënvizohet se ka nevojë për ndërgjegjësim të qytetarëve për të qenë aktivë në pjesëmarrje.

INSTAT nënvizon se do të angazhohet me një strategji komunikimi për të rritur informimin.

“Suksesi i Censit varet nga qasja pozitive dhe pjesëmarrja e popullatës në të. Prandaj, gjatë vitit 2023 do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë zbatimit dhe monitorimit të strategjisë së komunikimit, elementë bazë të së cilës janë komunikimi me palët e interesuara dhe publikun në përgjithësi”.

Fushata e komunikimit do të promovojë Censin duke informuar publikun për qëllimin e tij.

Pas zhvillimit të censit do të ketë edhe një anketë të dytë duke përdorur modele statistikore të rekomanduara nga organizatat ndërkombëtare, pas numërimit në terren që llogarit nivelin e besueshëmrisë dhe cilësisë së të dhënave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit.

Çfarë pritet në Shqipëri?

Shqipëria aktualisht po rritet shumë ngadalë për sa i përket popullsisë, me një normë rritjeje prej vetëm 0.34%.

Kjo, sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2030, popullsia e Shqipërisë pritet të jetë 3.31 milionë.

Këto projeksione parashikojnë gjithashtu një tkurrje të popullsisë së vendit pas vitit 2032, me një rënie të vazhdueshme të popullsisë deri në fund të shekullit.

Ritmi vjetor i rritjes së popullsisë në Shqipëri është luhatur midis përqindjeve të vogla në të dyja anët e zeros që nga fillimi i shekullit.

Lidhur me këtë fenomen, pedagogia e Politikave Sociale, Merita Xhumari, ka shpjeguar për Albanian Post se në Shqipëri janë shfaqur tendencat e reduktimit të popullsisë, që lidhen si me shkaqe të uljes së numrit të lindjeve, por mbi të gjitha me emigrimin e popullsisë aktive.

Që nga viti 2019, OKB njofton se popullsia ishte afër një ndalese duke u rritur me vetëm 0.14% në vit. Migrimi neto është relativisht i ulët, por negativ, dhe faktori më i madh që kontribuon në sasinë e ulët ka qenë lindshmëria nën mesatare.

Ritmi në rënie i rritjes në Shqipëri pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim, ku norma do të bëhet negative rreth vitit 2027 dhe do të zbresë në afërsisht -0.66% në vitin 2050.

Megjithatë Xhumari tregohet optimiste se fenomeni i rënies së popullsisë mund të frenohet.

“Nga kjo perspektivë, Shqipëria për pozicionin gjeografik që ka, është atraktive dhe me burime të shumta. Hapja e negociatave të integrimit në BE do t’i shërbejë rritjes së standardeve te jetesës në vend, integrimit të politikave publike me ato të BE dhe rritjes së interesit nga investitorët e huaj”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore