Lajme

Nis punën grupi për hartimin e projektligjeve për realizimin e Vettingut


Grupi punues për Vettingu-n.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se kanë mbajtur takimin e parë të Grupit për hartimin dhe finalizimit e projektligjeve për realizimin e procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ , ka thënë se në këtë takim ka ofruar mbështetje për grupin punues.

“Pas procedimit në Kuvend të amendamenteve kushtetuese për vetingun, sot mbajtëm takimin e parë të Grupit për hartimin dhe finalizimin e projektligjeve për realizimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë si dhe ofrimin e mbështetjes për Komisionin Ad hoc të Kuvendit për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar”.

“Ofrova mbështetjen time për grupin punues dhe ritheksova rëndësinë e këtij procesi për qytetarët dhe shtetin”, ka shkruar ministrja.

Ndryshe, procesi i Vettingut në Kosovë do të përfshijë të gjithë gjyqtarët me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi i Vettingut synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore