Sport

Niklas Sule mbron veten nga kritikat


Niklas Sule i është përgjigjur kritikave mbi paraqitjet e tij te Bayern Munich-u këtë sezon. Qendërmbrojtësi ka mbrojtur veten gjatë një interviste me Suddeutsche Zeitung.

25-vjeçari nuk e ka problem të marri fajin kur bën gabime, por mendon se është veçuar padrejtësisht, të paktën në një rast.

Drejtuesi i Bayern-it, Karl-Heinz Rummenigge fajsoi publikisht mbrojtësin për golin e Amin Younes-it në fitoren 2-1 të Eintracht Frankfurt-it ndaj Bavarezëve muajin e kaluar.

“Të përmendem për një rast të tillë, pavarësisht se kush e bën, me shqetëson”, tha Sule.

“Kur të kem një lojë të keqe, unë do të jem i pari që do të them ‘me të drejte’. Por, unë nuk kam pse të marr fajin për gjithçka dhe ta lë atë pa komentuar”.

“Për shembull unë isha i përfshirë në çdo gol që pësuam në humbjen 2-3 ndaj Gladbach. Ishte një ndeshje e keqe nga unë dhe nuk duhet të jetë justifikim që kam qenë i dëmtuar për një kohë të gjatë. Por, ndonjëherë gjërat shkojnë mirë dhe nganjëherë jo”.

“Unë nuk kam pse të marr fajin për gola të tjerë si ai në Frankfurt, si kurban për humbjen që pësuam atje”.

Kontrata e Sule-s me Bayern-in skadon në 2022 dhe mbetet e paqartë nëse ai do të rinovojë.

“Para se të kem një bisedë private me punëdhënësin tim, nuk është në natyrën time të them diçka publikisht. Kur të vijë koha, unë do të ulem me agjentin tim dhe familjen time për të marrë një vendim se çfarë është më e mira për mua dhe familjen time”, tha mbrojtësi i Kombëtares së Gjermanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore