Euro 2024

Nga zero në hero: Rey Manaj shkon në Euro 2024 si një lojtar i transformuar


Rey Manaj

Rey Manaj mbërriti te Sivasspor i etiketuar si lojtar i dështuar. Pas një viti në Turqi, ai është shndërruar në një makinë goli, pikërisht në kohën e duhur për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjen për t’i shpëtuar një grupi të vështirë në Euro 2024.

Rey Manaj është një njeri i transformuar. Pas ndoshta sezonit më të keq të karrierës së tij në 2022-23, ai thjesht po shijon më të mirën e tij dhe nuk mund të kishte gjetur formë në një kohë më të mirë.

T’i thoshe çdo tifozi të Watford-it 12 muaj më parë se Manaj do të ishte një nga sulmuesit më në formë që shkon në Euro 2024 do të kishte qeshur me të madhe.

Por, tani, Manaj shkon në Gjermani këtë verë pas një fushate të bujshme me Sivasspor-in në Turqi dhe kërkon ta bëjë Shqipërinë një surprizë në turne.

Sezoni 2022-23 ishte më i keqi në karrierën e Manajt. Ai supozohej të ishte sulmuesi për të ndihmuar Watford-in në Premier League me golat e tij pasi nënshkroi një marrëveshje të përhershme nga Barcelona.

Lojtari i vetëm që Watford kishte nënshkruar më parë nga gjiganti spanjoll ishte Gerard Deulofeu, dhe ai ishte një nga lojtarët më të talentuar që ka luajtur për klubin kohët e fundit. Presioni ishte mbi Manaj për të performuar, por ai nuk e bëri.

Në fakt, dëmtimet penguan çdo sukses të mundshëm, por kur ia doli në fushë ai tregoi pak se kishte aftësinë për të ofruar diçka pozitive për Watford-in.

Pas nënshkrimit në korrik 2022, sulmuesi shqiptar bëri vetëm shtatë paraqitje gjatë periudhës së tij në Angli, duke shënuar vetëm një herë në 274 minuta lojë. Madje ai gol iu atribuua në mënyrë të dyshimtë Manajt pas një devijimi të vogël nga lushnjari.

Manaj erdhi në paraqitjen e tij të fundit për Watford-in në dhjetor 2022, duke ardhur nga pankina për t’u rikthyer pas gati katër muajsh i dëmtuar në një barazim 0-0 në shtëpi me Hull City-n. Manaj u aktivizua vetëm 18 minuta para se të dilte sërish i dëmtuar, por jo para se të humbiste një shans të madh nga brenda zonës që do të kishte fituar ndeshjen.

Ky do të ishte veprimi i tij i fundit në një periudhë të trishtuar te Watford. Vetëm 211 ditë ndanë njoftimin se Manaj kishte nënshkruar për klubin për një kontratë trevjeçare dhe postimet zyrtare sociale të klubit për të informuar të gjithë se kontrata e tij ishte ndërprerë me pëlqim reciprok.

Tifozët e Watford-it ishin të zemëruar me të drejtë nga humbja e parave dhe kohës së shpenzuar për një lojtar që nuk dukej askund. Toni ishte mizor ndonjëherë, duke argumentuar se ai mund të kishte qenë sulmuesi më i keq i Watford-it ndonjëherë. Kur u publikuan imazhet e Manajt duke u stërvitur me klubin në parasezonin 2023-24 me fanellën e Watford-it, zemërimi u rrit në një tjetër nivel.

Për fat të mirë për tifozët e Watford, dhe Manajt, ai nuk po kthehej. Klubi thjesht e lejoi atë të përdorte objektet e tyre për të fituar gjendje fizike dhe për të gjetur një klub tjetër. Humbja e tyre doli të ishte fitimi i Sivasspor-it.

Ashtu si Manaj, edhe Sivasspor luftoi në 2022-23. Ata përfunduan vetëm një pikë mbi zonën e rënies në Superligën Turke, me vetëm tre lojtarë që shënuan më shumë se pesë gola, dhe të tre u larguan gjatë verës.

Manaj mbërriti pa shumë bujë në një transfertë të lirë dhe pasi doli pa gola në pesë paraqitjet e tij fillestare, më në fund hapi llogarinë e tij në një fitore 3-2 në ligë ndaj Pendikspor më 7 tetor. Ky do të ishte i pari nga 22 golat konkurrues në sezonin 2023-24 për Manajn, me 18 prej tyre që vijnë në kompeticionin e ligës.

Golat e tij e ndihmuan Sivasspor-in të siguronte vendin e shtatë në ligën më të lartë turke, me 54 pikë që i çuan ata pranë kualifikimit evropian, një përmirësim i madh me sezonin e mëparshëm.

18 golat e Manajt ishin më të shumtët ndonjëherë nga një lojtar i Sivasspor-it në një sezon të ligës së lartë, ndërsa numri i tij u tejkalua në ligë vetëm nga Mauro Icardi (25) dhe Edin Dzeko (21) për dy klubet kryesore Galatasaray dhe Fenerbahçe respektivisht.

Të dy Icardi (114) dhe Dzeko (130) ishin gjithashtu lojtarët e vetëm që luajtën të paktën 1800 minuta lojë me një raport më të mirë minutash për gol se Manaj në 2023-24 (139).

Rëndësia e tij për Sivasspor-in nuk mund të nënvlerësohet. Golat e asnjë lojtari nuk vlejnë më shumë për ekipin e tyre se sa ata të Manajt (20), ndërsa askush në Superligë nuk shënoi një përqindje më të lartë të golave ​​të ekipit të tyre (38%).

Ndryshe nga golashënuesit kryesorë Dzeko dhe Icardi, Manaj gjeti gola në një ekip që nuk krijoi raste të shumta cilësore, diçka që mund ta mbajë atë në vend të mirë këtë verë me Shqipërinë në Euro 2024.

Sivasspor shënoi gjithsej 37.0 gola të pritur (xG) gjatë gjithë sezonit nga gjuajtjet pa penallti, vetëm Konyaspor (32.7) dhe Istanbulspor (36.1) shënuan shifra më të ulëta në Superligë.

Pavarësisht kësaj, totali i 11.9 xG jo penalltish i Manajt ishte i katërti më i lartë në të gjithë ligën dhe kontribuoi gati një të tretën e totalit të Sivasspor-it. Nëse Sivasspor do të merrte një shans, ai kishte gjasa t’i binte Manajt.

Megjithatë, ai nuk varej nga rastet e mëdha afër portës. Ai shënoi shtatë gola në ligë nga jashtë zonës, asnjë lojtar nuk ka shënuar më shumë në shtatë sezonet e fundit të ligës turke. Tre prej tyre erdhën nga goditjet e lira direkte, një tjetër nivel i lartë në ligë.

Statistikat e Rey Manajt në Superligën turke

Pas problemeve të tij me dëmtimet te Watford, Manaj e kaloi sezonin 2023-24 pa ndonjë mungesë të madhe dëmtimi, gjë që premton mirë për këtë verë dhe më tej.

Manaj nuk u paraqit fare në fushatën kualifikuese të UEFA Euro 2024, me Jasir Asanin dhe Taulant Seferin të preferuar në sulm, duke shënuar pesë gola mes tyre. Megjithatë, asnjë opsion sulmues shqiptar nuk e ka pasur suksesin në sezonin 2023-24 si Manaj, kështu që ishte pak surprizë ta shihnim atë të përfshirë në skuadrën e trajnerit Sylvinho për këtë turne.

Duke u paraqitur më 22 mars në humbjen 3-0 të Shqipërisë ndaj Kilit, Manaj u rikthye në skenën ndërkombëtare për herë të parë në dy vjet, duke u paraqitur për herë të fundit në mars 2022 kundër Gjeorgjisë në një tjetër ndeshje miqësore.

Paraqitja e tij e fundit konkurruese (para miqësoreve të fundit) për Shqipërinë ishte në tetor 2021, kështu që një rikthim në Euro 2024 do t’i japë fund thatësirës së tij në skenën e rëndësishme ndërkombëtare.

Bazuar në formën e tij te Sivasspor-i këtë sezon, te Shqipëria do të duhet të përfitojnë maksimalisht nga ecuria e tij duke qenë se synojnë të shkaktojnë tërmet në një grup që përmban emra të mëdhenj si Spanja, Italia dhe Kroacia.

Thashethemet e kanë lidhur Manajn me një rikthim në Spanjë para sezonit të ardhshëm pas bëmave të tij në Turqi, me sulmuesin që postoi një lamtumire emocionale në Instagram në fund të kësaj fushate.

Megjithatë, kjo lëvizje mund të varet më tej nga performancat e tij për Shqipërinë këtë verë, me Manajn që kërkon të përfundojë transformimin e tij nga zero në hero.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore