Shqipëria

Nga negociatat e Shqipërisë me BE-në te dialogu Kosovë-Serbi, tre takimet e Ramës në Bruksel


Ndryshe nga e hëna kur fokusi i ditës ishte vetëm takimi me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, 27 qershori ishte një ditë e zënë për agjendën e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Në Bruksel, kryeministri i Shqipërisë zhvilloi tre takime: fillimisht me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më pas me Komisionerin Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe në përmbyllje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell.

Von der Leyen reagoi pas takimit me kryeministrin shqiptar duke zbuluar tematikat e diskutuara.

“Takim shumë frytdhënës me Edi Ramën. Diskutuam progresin në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe Planin tonë të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo do të afrojë rajonin dhe BE-në dhe do të nxisë prosperitetin e partnerëve tanë”, shkruan zyrtarja e lartë evropiane në median sociale “Twitter”.

Kujtojmë që, kreu i Qeverisë gjendet në Bruksel për takime të nivelit të lartë prej të hënës për të diskutuar mbi tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Më herët, gjatë takimit me Charles Michel, të dy pranuan se ekziston një domosdoshmëri e menjëhershme për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës.

Në këtë rrafsh, kjo është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë.

“Duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, përmbyllte postimin e shkurtër kreu i Qeverisë shqiptare.

Në një tjetër postim, Rama shpjegoi se kishte shkuar në Bruksel për t’i përcjellës Michel-it shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon.

Sipas tij, fatkeqësisht së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek “fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste”.

Kjo, ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin, shtoi kryeministri shqiptar.

“Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një ‘Donbasi’ ballkanik mu në zemër të Evropës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht”, argumenton kreu i Qeverisë.

Pas dërgimit të letrës në adresë të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, kryeministri shqiptar Edi Rama vijon përpjekjet për të arritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Numri një i Qeverisë u shpreh para tre ditësh se i ka dërguar letër, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KiE-së, Charles Michel.

Pasi tashmë duhet një shtytje e re: zbatimi me doemos i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe.

“Pardje i kam nisur një letër të dytë për domosdoshmërinë për një shtyrje të re të Francës dhe Gjermanisë si kumbëtarët e planit franko-gjerman dhe që ky plan të zbatohet me doemos”, ishin fjalët e tij.

Sipas Ramës, është e domosdoshme që Macron dhe Scholz të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë.

Kryeministri shqiptar ka propozuar më herët një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë, për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama sqaroi se, kjo konferencë normalizimi është pa të drejtë daljeje derisa të trajtohen ato pika që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajit.

‘Basti’ i dikurshëm i Daytonit dhe risku i një ‘Konference normalizimi pa të drejtë daljeje’ për Kosovën dhe Serbinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore