Shqipëria

Nga Infrastruktura te Turizmi, kush spikati në ‘Rama 2’?


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën e 25 gushtit mblodhi gjithë ministrat e mandatit të dytë qeverisës.

Përballë tyre, ai bëri një bilanc mbi punën e Qeverisë në katër vjet, të cilin e cilësoi si një mandat pozitiv, pavarësisht se u diktua nga dy fatkeqësi të mëdha: tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia botërore e shkaktuar nga COVID-19.

Por, jo e gjithë puna u lëvdua nga kryeministri!

Ndër lëvdata e kritika, cilët ishin më të vlerësuarit?

Për Albanian Post, analisti Aleksandër Çipa tha se ndër ministrat e vlerësuar, në opinionin e tij, ishin ai i Brendshëm dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë. Por, në mënyrë më të veçantë, ishte ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Të njëjtin mendim ka dhe analisti Frrok Çupi, i cili theksoi faktin se ministrja e Shëndetësisë u përball me një armik të tmerrshëm për jetën, siç është COVID-19.

Sipas Çupit, profili modest i Manastirliut solli edhe vlerësimin më të lartë të kryeministrit.

Ndërkohë, për Çipën, edhe pse nuk pati kritika të adresuara, në mënyrën më të mundshme, ndryshime të pritshme do të jenë ato në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ajo e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe ato të Bujqësisë dhe Ekonomisë e Financave.

Sipas Çipës, Turizmi do të mund të konceptohet si një ministri më vete. Kultura, po ashtu, mund të shohë ndryshime.

Për sa i përket Arsimit, Çipa ravijëzon se, “projekte të reja do të ketë, pasi Rama foli për strategjinë e rikonceptimit të arsimit, mbi investimet në nivelet bazike dhe jo vetëm universitare. Kryesisht strukturat parauniversitare të arsimit”.

Nga ana tjetër, për Çupin, shtylla kryesore e ekonomisë së Shqipërisë mbetet Turizmi dhe Bujqësia. Rrjedhimisht, sipas tij, ministrat përkatës janë në pozita më delikate.

Bilanc me mesazh

Për Aleksandër Çipën, Rama dha një mesazh nëpërmjet bilancit, duke parashtruar faktin se, “në kabinetin e ardhshëm, struktura do të ndryshojë në përputhje me sfidat e reja, që ai e konsideroi projektin e Shqipërisë për vitin 2030”.

“Kabinet i cili do të jetë jo me figura të listuara politike, por me figura të ardhura nga nivele të ndryshme të ekspertizës”, theksoi ai.

Konkretisht, Çipa thotë se, ata që do të vijnë, do të jenë kontribuues në mjedisin ndërkombëtar dhe në institucionalizimin ndërkombëtar.

Frrok Çupi, nga ana tjetër, thotë se mesazhi i kryeministrit ishte i qartë: “Nuk ka ministra të pandërrueshëm”.

Një mesazh tjetër ka të bëjë me faktin se asgjë, ose pak gjë, do të jetë në mandatin e tretë si në mandatin e dytë.

“Rama si kryeministër ka mbyllur epokën e tmerrshme të krimit të klasës politike”, ravijëzon Çupi.

Kjo e fundit, sipas tij, ka rëndësi për popullin shqiptar dhe vlera e mandatit të tretë, “është dënimi i presidentëve dhe kryeministrave ‘gogolë’, Sali Berisha dhe Ilir Meta”.

Çupi e vendos theksin mbi Shqipërinë, e cila shihet se ka nisur një epokë moderne të ndëshkimit të krimit. Por, ndër to, “është epoka kur shqiptarët nisin të besojnë se dhe fajtorë të mëdhenj që kanë vjedhur e vrarë, një ditë ikin nga bota jonë qytetare”.

Ndërkohë që dyshimet mbi kabinetin e ri mbeten të mëdha, ndryshimet, priten nga Rama.

Javën e ardhshme, ai prezanton – për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë – “Rama 3”, kabinetin e mandatit të tretë qeverisës radhazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore