Kosova

Nga 1 korriku nis subvencionimi i policës kufitare për mërgatën


Ministria e Financave.

Nga 1 korriku do të nis subvencionimi i policës kufitare për mërgatën e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Bashkë me Ministrin Sveçla, Guvernatorin Ismaili, dhe BKS-në, sot kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Murati ka theksuar se të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë do të mund të marrin falas policën e sigurimit në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.

“Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse”.

Ai ka njoftuar se në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor.

“Si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj”.

Murati sqaroi se policat që merren në zyrat e Byros Kosovare të Sigurimit brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare nuk mbulohen nga subvencionimi.

Polica kufitare për mërgatën është një dokument sigurimi që u kërkohet të kenë shoferët e automjeteve kur hyjnë në Kosovë nga jashtë.

Ajo siguron që automjeti dhe udhëtarët të jenë të mbuluar nga sigurimi për ndonjë aksident ose incident që mund të ndodhë gjatë qëndrimit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore