Kosova

Nesër mund të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, njofton Sadiku


Ilustrim

Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, në një prononcim për gazetën serbe “Danas” të dielën, njoftoi se nesër (e hënë) mund të nisë mbledhja e nënshkrimeve për peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës, ndërsa kuvendi komunal do të miratojë shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Sadiku njoftoi ndër të tjera se iniciuesit e peticionit në Mitrovicën e Veriut kërkuan shfrytëzimin e sallës sportive, ndërsa seanca e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, ku pritet të merret vendimi për t’ua lejuar serbëve lokalë shfrytëzimin e hapësirë publike për mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin është caktuar të hënën për në ora 10:00.

Serbët në komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë edhe 8 ditë kohë për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave përkatëse. Ata kanë afat deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet e 20 për qind të trupit elektoral, ndërsa Sadiku shprehet optimist.

“Afati i grumbullimit të nënshkrimeve është 22 janari, por nëse nuk arrijnë të mbledhin nënshkrimet në kohë, ministria do t’u japë edhe dy javë shtesë. Besoj se do t’i mbledhin shpejt dhe nuk do të duhet një afat shtesë”, deklaroi Sadiku, duke iu referuar kritereve që burojnë nga Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Në bazë të përllogaritjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Mitrovicës së Veriut është 18 mijë e 199. Nga ky numër, rreth 3 mijë e 640 votues përbëjnë 20 për qind të trupit elektoral, kurse në komunën e Leposaviqit, numri i votuesve është 13 mijë e 441. Rreth 2 mijë e 689 përbëjnë 20 për qind.

Kjo masë vlen njëjtë edhe për komunën e Zveçanit dhe Zubin Potokut. Në komunën e Zveçanit janë të regjistruar 9 mijë e 229 votues, ndërsa rreth 1 mijë e 846 qytetarë përbëjnë 20 për qind të trupit elektoral. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 6 mijë e 732. Rreth 1 mijë e 347 përmbushin kriterin prej 20 për qind të elektoratit.

Pas pranimit të nënshkrimeve, kryesuesit e kuvendeve komunale në veri duhet që brenda tri ditëve t’i dërgojnë në KQZ për verifikim. Nga konstatimi që është përmbushur kriteri i nevojshëm prej 20 për qind, brenda 45 ditëve duhet të organizohet procesi zgjedhor ku qytetarët mund të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarin e komunës përkatëse apo jo.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore